Merkato me “pikatore”, Stojku: Erzeni e ka grupin për të synuar kreun

Edhe pse është në kohë pushimesh dimërore, trajneri i Erzenit, Gentian Stojku, tregon se së bashku me drejtuesit e klubit, nuk janë ndalur në punën për riorganizimin e skuadrës për pjesën e dytë të këtij sezoni. Për SportEkspres.com, Stojku deklaroi se nesër më 4 janar i gjithë grupi do të jetë i gatshëm për të rinisur përgatitjet për vazhdimin e kampionatit.

“Së bashku me drejtuesit jemi ulur për vazhdimësinë dhe gjithçka në këtë periudhë është fokusuar në mbajtjen e formës së lojtarëve, njëherësh edhe në programet stërvitore që mendojmë gjatë muajit janar. Gjatë kësaj periudhe kemi menduar edhe për përforcime, ku kujdesi do të jetë i madh jo për të plotësuar numrin me lojtarë, por për tw gjetur lojtarë që bëjnë diferencën. Kjo sepse ne e mendojmë veten në garën për kreun në Grupin A të Kategorisë së Parë”.

Lidhur me merkaton e këtij muaji, Stojku deklaroi se ajo do të varet më shumë edhe nga buxheti, që sipas tij është i plotë deri në fund të sezonit. “Kemi menduar merkato me pikatore, nëse do të gjejmë ndonjë lojtar që të bëjë diferencën. Do të zhvillojmë edhe ndeshje miqësore, ku deri tani na kanë konfirmuar dy skuadra”, theksoi më pas Gentian Stojku.

Erzeni në 14 ndeshjet e para u rendit në vendin e dytë në Grupin A të Kategorisë së Parë, 7 pikë pas Vllaznisë, të cilën e pret më 2 shkurt në Shijak në kuadrin e javës së 15-të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *