Merkato me pikatore për afrimet, ka më shumë largime, dimri “ftoh” tregun!

Të gjithë trajnerët dhe drejtuesit e skuadrave të Kategorisë së Parë që gjatë këtij funddhjetori janë pyetur nga SportEkspres.com lidhur me merkaton, kanë deklaruar se do të hyjnë në këtë treg gjatë janarit 2019. Mediatikisht, pjesa më e madhe e tyre deklarojnë se duhen dy apo tre përforcime cilësore, që skuadrat të jenë më afër synimeve të sezonit.

Natyrisht që kjo është pjesa virtuale e këtij treguesi të rëndësishëm në futboll, sepse gjatë muajit dhjetor, tradicionalisht drejtuesit e klubeve, trajnerët dhe lojtarët më shumë mendojnë për pushimet. Por, duke qenë se vetë merkato ka disa korridore ku kalon, duke nisur së pari me projektet për emrat e futbollistëve që synohen, me bisedimet paraprake mes tyre, e më pas me finalizimin, ku ana financiare mbetet primare, momentalisht terreni duket i “thatë”.

Gjithsesi, pas përfundimit të 14 javëve të para, ka edhe skuadra të cilat zyrtarisht kanë shpallur vetëm largimet që kanë bërë, e këtu më aktive janë disa në Grupin B. Nga Bylisi janë konfirmuar tre largime: Vjali Mahmutaj, Xhulio Tushi dhe Gëzim Hyska, emra këta pak të dëgjuar te kjo skuadër në pjesën e parë të sezonit. Nga Turbina është larguar nigeriani Ejo, ndërkohë që Apolonia bën të veçantën me largimet e futbollistëve Erlando Mehmeti, Klevis Përkeqi, Erand Kolgega dhe Franc Bakalli.

Nga skuadrat e Grupit A, vetëm portieri i Ilirisë Elson Demi ka bërë publik largimin e tij, ndërsa Besa e Kavajës duket më e prirur për përforcime, teksa kanë firmosur me nigerianin Ejoh dhe Sokol Mziun e ardhur nga Kastrioti. Gjithsesi, ende nuk ka lëvizje zyrtare, ndërsa më shumë ka vetëm një “refren”: Do bëjmë përforcime me 3-4 lojtarë që të bëjnë diferencën!

Por, sa të përgatitura do të jenë skuadrat për tregun e merkatos së janarit, dhe a do të gjejnë ato përforcimet e duhura? Kjo mbetet për tu parë gjatë muajit janar dhe javës së parë të shkurtit, kur edhe do të nisë gjysma e dytë e këtij sezoni.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *