Merkato dhe sekretet e Teutës, Edmond Hasanbelliu “fsheh” vetëm… goleadorin

Në dy fazat e para të Kategorisë Superiore 2018-2019, Teuta e Durrësit është veçuar si skuadra më e mirë, edhe pse renditet në vendin e tretë, vetëm 3 pikë larg Partizanit kryesues. Për këtë situatë, Njëshi i klubit durrsak, Edmond Hasanbelliu, deklaron për SportEkspres.com se është i kënaqur nga skuadra në dy fazat e para, por kërkon prej lojtarëve e stafi teknik që të jenë më kërkues dhe të vendosur për arritjen e objektivit në kampionat.

Sipas Hasanbelliut, skuadra e Teutës ka patur një suport të fuqishëm në këtë ecuri, pikërisht nga zëvendësi i tij, biznesmeni Ardian Bardhi. “Përveç punës së stafit teknik dhe të vetë lojtarëve, në këtë ecuri në dy fazat e para faktori kryesor është edhe ortaku im Ardian Bardhi, i cili po jep një suport të fuqishëm në menaxhim dhe në rritjen e financave të klubit”, kështu deklaroi mes të tjerave në këtë intervistë Presidenti i Teutës, Edmond Hasanbelliu.

INTERVISTOI: AGRON KAJA

Sa i kënaqur jeni me ekipin e Teutës për dy fazat e para të Kategorisë Superiore?
-Për ne si drejtues, pritshmëritë janë arritur. Sepse që në start ne kishim si objektiv të renditeshim në një vend në zonën e Europës. Aktualisht vendi i 3-të në renditje nuk është keq, sepse diferenca në 4 pikë me Partizanin e vendit të parë është e vogël.

Ju ka mbetur peng që në sezonin e kaluar nuk e ulët Bledi Shkëmbin në bankinën e Teutës?
-Shkëmbin ka një jetë që e njoh dhe tek Teuta ai në çdo kohë i ka patur dyert e hapura. Kam qenë në çdo kohë në kontakt me të, por përvoja në Kosovë mendoj se e ka ndihmuar profesionalisht. Me këtë seriozitet e përkushtim që ka aktualisht, besoj se do të ecë shumë mirë edhe si trajner.

Ku mendoni se ka ecur më mirë Teuta në dy fazat e para të këtij kampionati?
-Përveç punës së stafit teknik dhe të vetë lojtarëve, në këtë ecuri në dy fazat e para faktori kryesor është edhe ortaku im Ardian Bardhi, i cili po jep një suport të fuqishëm si në menaxhim, ashtu edhe në rritjen e financave të klubit. Puna e mirë e përbashkët ka dhënë këtë rezultat.

Keni ndonjë futbollist që e morët në merkaton e verës dhe në dy fazat e para ju ka zhgënjyer?
-Jo, për mua të gjithë janë munduar të japin më të mirën e tyre dhe kanë kontribut për këtë renditje që Teuta arriti në dy fazat e para. Por, të gjithë duhet ta rritin më shumë cilësinë e lojës së tyre në fushë, sepse kemi përpara një gjysmë sezoni shumë më të vështirë se gjysma që mbyllëm.

Në këtë merkato të janarit dukeni të maturuar, mendoni se e keni të plotësuar skuadrën?
-Jemi treguar të maturuar në këtë merkato, duke menduar se Teuta ka nevojë vetëm për përforcime  cilësore. Së pari ishte mbrojtësi Frashëri, por ju konfirmoj se edhe me Renato Arapin e kemi mbyllur marrëveshjen e këto ditë ai pritet t’i bashkohet skuadrës. Por presim edhe një supersulmues, që për momentin nuk po ja u deklaroj.

Teuta është një nga skuadrat e kreut të renditjes, ju mendoni se lufta për titullin kampion është e hapur?
-Ne luftën e kemi për një vend në Europë dhe këtu do të përqendrohemi më fort në dy fazat e tjera të kampionatit. Por duke qenë se jemi tre-katër skuadra në vendet e kreut dhe shumë afër me pikë, atëhere edhe lufta për titullin kampion besoj mbetet e hapur. Nuk do ishte keq edhe titulli!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *