Laçi e nisi kampionatin me barazim kundër Kukësit në fushën asnjanëse të Elbasanit. Bardhezinjtë nuk ishin të plotë, pasi dy nga afrimet e verës nuk ishin të gatshëm për stafin teknik. Mbrojtësi Sebastian Toro ende nuk ka kondicionin e duhur fizik dhe nuk ishte grumbulluar.
Probleme ka edhe për Bojan Najdenov. Mesfushori maqedonas është larguar nga Estegal për shkak se nuk është paguar dhe tanimë kërkon lejekalimin nga FIFA. Laçi pret që qeveria e futbollit botëror të japë “OK”-in dhe mesfushori të jetë nën urdhrat e Mërgjyshit.
Nga ana tjetër drejtuesit po punojnë për t’u përforcuar. Momentalisht po bisedohet me disa lojtarë për sulmin, por ende nuk ka akord me asnjë. Problem mbeten kërkesat financiare të lojtarëve, por edhe fakti që një pjesë e mirë e tyre vijnë nga periudha jo të mira.
Për këtë arsye te Laçi po mendohen mirë para të vendosin se kë do të marrin për sulmin. Në dy ndeshjet e para të këtij sezoni, në Superkupë dhe kundër Kukësit, ka qenë i riu Redon Xhixha ai që është aktivizuar në majë të sulmit.