Mergjyshi: Po mendojmë për Superioren, ja pse bëmë pak lëvizje

Drejtori i ri Teknik i Dinamos, Artan Mergjyshi, për SportEkspres.com u shpreh optimist për të ardhmen e skuadrës dinamovite, të cilën ai e sheh shumë shpejt në Superiore. Në deklaratën e tij, Mergjyshi theksoi se ka një strategji që të krijohet një ekip konkurrues, dhe gradualisht të shtrohen shinat për të kthyer Dinamon aty ku i takon emrit të madh të kësaj skuadre.

Aktualisht Dinamo ka 7 sezone që luan në Kategorinë e Parë dhe në 14 javët e luajtura në Grupin A ka grumbulluar 24 pikë e renditet në vendin e 3-të, 9 pikë larg Vllaznisë që kryeson këtë grup. Ndeshjen e javës së 15-të Dinamo luan me Vorën në Pezë Helmës, skuadër e cila renditet në vendin e fundit në këtë grup me 6 pikë.

INTERVISTOI: AGRON KAJA

Është hera e parë që te Dinamo jeni në pozicionin e Drejtorit Teknik, e kishit menduar më parë?
-Të them të drejtën jo. Pas eksperiencës si lojtar për shumë vite te Dinamo, e më pas si trajner i saj, në postin e Drejtorit Teknik ndjehem si në shtëpinë time. Karriera në sport i pranon të gjitha pozicionet, rëndësi ka që edhe këtu të jap kontributin tim maksimal për më të mirën e skuadrës.

Në një muaj te Dinamo, çfarë mendoni se ka ndryshuar në skuadër?
-Nëse e keni fjalën për merkaton, kemi bërë vetëm dy afrime. Kur flasim për skuadrën në tërësi, mendoj se ndryshimi thelbësor është psikologjia e fituesit. Grupi aktual ka patur ecuri të mirë dhe gjatë miqësoreve që zhvilluam kanë treguar seriozitet e nivel në lojë.

Gjatë muajit janar keni bërë merkato me “pikatore”, pse vetëm me dy emra futbollistësh?
-Ne kemi afruar gjatë muajit janar dy futbollistë: Erald Kolgega dhe Ervis Kaja. Kjo sepse grupi që mbylli gjysmën e parë të këtij kampionati ka qenë i plotë dhe me këtë përbërje Dinamo do të jetë më konkurruese në kampionat.

Për javën e 15-të do të luani ndaj Vorës së fundit në renditjen e Grupit A. Cili është synimi i Dinamos?
-Si çdo ndeshje në Kategorinë e Parë, edhe kjo me Vorën ka shkallën e saj të vështirësisë. Kemi përballë një kundërshtar që kërkon të mbijetesën dhe në këtë merkato ka bërë disa përforcime. E respektojmë Vorën si kundërshtar, por Dinamo në këtë sfidë do të luajë vetëm për fitore.

Çfarë synoni me Dinamon në këtë sezon, nisur nga renditja aktuale e saj në Grupin A?
-Së pari, në katër ndeshjet e fazës së dytë ne do të kërkojmë të marrim sa më shumë pikë, e po kështu të vazhdojmë në fazën e tretë. Ajo ka specifikën e veçantë me përgjysmimin e pikëve të dy fazave të para. Nuk do përjashtohemi nga lufta për kreun e Grupit A.

E keni një strategji si klub për rikthimin e Dinamos në Kategorinë Superiore?
-Natyrisht që po dhe e them me bindje se të gjithë po punojnë që Dinamo të rikthehet në Kategorinë Superiore, pse jo që në sezonin e ardhshëm. Kemi një strategji që të krijomë një ekip konkurrues, dhe gradualisht po i shtrojmë shinat për të kthyer Dinamon aty ku i takon emrit të madh të kësaj skuadre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *