Mergjyshi: Fitore morali, Dinamo gaboi rrugës

Dinamo, për herë të parë për këtë sezon ia doli të mundte Vllazninë. Një fitore prestigji, pasi shkodranët e kishin siguruar rikthimin në Superiore. Artan Mërgjyshi, drejtori teknik i bluve, thekson se skuadra kryeqytetase tregoi se i ka kualitetet për të luftuar për elitën.

“Fituam një ndeshje morali e prestigji. Tri pikët na mbajnë brenda synimit tonë, që në fundin e kampionatit të renditemi në vendin e dytë në grup. Me këtë fitore Dinamo tregoi se i ka kualitetet për të qenë në elitë. Ne mund të ishim rivalët e Vllaznisë, por disa gabime rrugës, kryesisht në fazën e dytë, na larguan nga pretendimi për vendin e parë në grup”, u shpreh fillimisht Mërgjyshi.

Ndërkohë, për tre ndeshjet e mbetura të kampionatit ai shtoi: “Në tre ndeshjet e mbetura deri në fund të fazës së tretë, ne kemi dy transferta të vështira në Peshkopi dhe Shijak. Gjithsesi do të synojmë vetëm fitoret. Ndeshja e fundit me Besëlidhjen them se do jetë një ‘derbi’ për vendin e dytë në grupin tonë”.

AGRON KAJA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *