Eduart Rroca dhe Vasil Shkurtaj është e vështirë të zëvendësohen te Luftëtari, por drejtuesit gjirokastritë po punojnë për të bërë përforcimet e duhura në merkato. Gara për mbijetesë është e vështirë dhe kjo shihet edhe nga diferenca e vogël mes ekipeve në tabelë, por edhe në cilësi.
Deri më tani është afruar zyrtarisht Realdo Fili, ndërkohë që në Gjirokastër presin edhe mbrojtësin Mërgim Neziri. Vjet e nisi sezonin te Kamza dhe më pas u largua në janar. Lojtari i linjës së majtë është aktivizuar me Prishtinën, si dhe në Gjermani e Rumani.
Petrolul Pioeshti është ekipi i fundit i mbrojtësit, i cili do të firmosë për bluzinjtë. Nevojat për përforcime janë edhe më të mëdha te Luftëtari, ndaj edhe po tentohet të afrohen dy sulmues.
Mësohet se bëhet fjalë për dy futbollistë që luajnë në vendet sllave, në elitë. Në Gjirokastër nuk kanë dëshirë të zbulojnë më tepër për shkak të ndërhyrjeve dhe prishjeve të pazareve që mund të ndodhin. Trajneri Mezani ndërkohë pret lojtarë cilësorë në skuadrën e tij.