Ledian Memushaj është një lider te Peskara në Itali, madje në Serinë B vlonjati është futbollisti me më shumë asiste. Mesfushori ka shërbyer 10 herë për skuadrën e tij, ndërkohë që tanimë është gati për dy ndeshjet që Shqipëria luan kundër Turqisë dhe Andorrës. Mesfushori ka dalë para mediave sot dhe ju është përgjigjur pyetjeve të ndryshme të gazetarëve.
“Nuk mendoj për atë që kam bërë me klubin, tani mendoj për kombëtaren. S’ka rëndësi nëse jap unë asiste, apo ndonjë tjetër”, u shpreh Memushaj fillimisht në konferencë, ndërkohë që më pas flet edhe për faktin që lojtarët po luajnë.
“Është pozitive kjo, por kemi edhe mungesa. Nuk duhet të mendojmë për këto gjëra, por për ndeshjen me Turqinë. Për të bërë diçka speciale duhet fituar këto përballje. Fakti që luajmë të gjithë është diçka pozitive”.
“Kemi bërë paraqitje të mira dhe jo të mirë. Nations League duhet harruar sa ma parë. Le të mendojmë pozitivisht”, shtoi vlonjati. “Andorrën nuk e njoh si ekip, Turqia është një ekip i fortë, ka një lojtar si Çalhanoglu. E dimë çfarë na pret me ta”.
“Nuk është problem, marr dy kartonë vetëm të fitojmë”, thotë Memushaj me shaka. “Jam i kënaqur që kthehet Armando. E kam kaluar edhe unë atë lloj dëmtimi. I dimë kualitetet e Sadikut, është i rëndësishëm për ne. Edhe Balaj ka bërë mirë kur është aktivizuar”.
“Kemi humbur edhe kur kemi luajtur në mbrojtje, edhe kur kemi luajtur në sulm. Duhet të mendojmë pozitivisht dhe të fitojmë. Këto janë ato lloj ndeshjesh që e ndryshojnë grupin dhe ecurinë në kualifikuese. Me Turqinë është e vështirë, ndryshe nga miqësorja kur fituam”.