Ardian Mema, trajneri i Tiranës, foli për emisionin “Gol pas Goli” në Supersport pas fitores kundër Skënderbeut, ku u shpreh:
“Po na pushonte zemra drejt fundit, fitoret në fund të japin një kënaqësi të veçantë. Kemi vuajtur shumë, lojtarët duhet të ishin më të përqendruar që në fillim të takimit, por Skënderbeu është një ekip shumë i fortë dhe ndeshja ishte e balacuar. Në fund të fundit, ishim më me fat se në ndeshjet tjera dhe jemi shumë të kënaqur për pikët.
MBIJETESA – “Në asnjë mënyrë nuk ka mbaruar, të shohim ndeshjet e radhës. Duhet të japim maksimumin për të marrë pikët, pasi nëse nuk e bëjmë këtë gjë, kthehemi atje ku ishim, diçka që nuk është aspak e kënaqshme për ne. Do të ishte shumë e rëndë për ne.
DËMTIMI I ODUAMADIT DHE MUNGESA E ZËVENDËSIMEVE – “Të them të drejtën, doja të hidhja çdo gjë në fushë për të fituar ndeshjen. Duhet të bëja dy ndërrime dhe të ruaja një lojtar, por doja që të fitoja ndeshjen dhe të freskoja ekipin, pasi na duheshin pikët”.
ANA PSIKOLOGJIKE – “Skënderbeu ka nevojën e duhur, ka lojtarë me eksperiencë. Kjo gjë bën diferencën në fushë. Mendoj se pati ekuilibër loja dhe nuk mendoj se kundërshtari luajti më shumë se ne, por as ne më mirë se ata. Shpresoj që në të ardhmen të luajmë më mirë dhe më të qetë nga ana psikologjike”.
NDËSHKIMET – “Unë nuk është se ndëshkoj lojtarët, por pjesa e standartit tim nuk ndryshon dhe kjo gjë dihet. Kush do të jenë më të përqendruar dhe më me pak gabime, ata do të luajnë. Unë nuk jam kamxhiku i skuadrës, por lojtarët duhet ta dinë vetë dhe të japin maksimumin. Që kur kam ardhur unë, kemi qenë nën presion dhe unë mund të kem qenë më i hekurt seç duhet”.
DERBI – “Nuk na ka ngacmuar njeri, pasi kemi qenë të fokusuar vetëm te ndeshja e radhës. Ne duhet të marrim rezultatet që na nevojiten. Kur afron derbi, atmosfera nxehet dhe pyetjet për këtë ndeshje nuk mungojnë. Nuk kam menduar ende për derbin, deri tani mendoja vetëm për Skënderbeun”, tha Mema.