Mema: I kërkova falje Dokës! Derbi na ka lënë traumë, finale me Kastriotin

Humbja e fundit në derbi ka lënë një shije të hidhur te Tirana, por djemtë e Ardian Memës janë gati për sfidën e radhës kundër Kastriotit. Përballja zhvillohet të shtunën dhe trajneri i bardhebluve ka folur në konferencën për shtyp, duke u ndalur të gabimet e shumta dhe lehtësia se si Tirana i pëson golat.

Një gjë e tillë duhet evituar, ndërsa Mema i rikthehet dhe kritikave ndaj Albi Dokës pas derbit. Trajneri tregohet i sinqertë dhe zbulon faktin që i ka kërkuar falje mbrojtësit. Ekipi do të pësojë ndryshime në formacion, Muça nuk është gati akoma, ndërsa merkato e janarit është e rrethuar me dyshim dhe skepticizëm.

KASTRIOTI – “Ndeshje shumë e vështirë dhe kjo, sepse ndeshja e fundit ka lënë një lloj traume tek ekipi. Kampionati është bërë i vështirë, Kastrioti fitoi ndeshjen e fundit me Vlorën. Gjithsesi, duhet të përgatitemi për çdo ndeshje, si të thuash, të jetë e klasifikuar si një finale, sepse nuk kemi më kohë të presim. Këtë lloj situate duhet ta kalojmë se s’bën. Kjo gjë kalohet me punë, përpjekje dhe përqendrim.”

DOKA – “Kam dhënë një deklaratë për shtyp atë ditë dhe jam shprehur gabim në një shtyp të shkruar për Dokën. Ishte një gabim i imi dhe i kam kërkuar falje direkt pas ndeshjes. Në radhë të parë duhet të kemi një lloj standardi me njerëzit. Nuk jemi njerëz që denigrojmë dikë. I kam kërkuar falje, i thashë pa dashje. Më fal i thashë, sepse unë kështu e kam parë dhe ndoshta kam qenë dhe me doza emocionale.”

PËRGATITJET – “Sa i përket përgatitjes së ekipit pas derbit, kjo është sinqerisht e vështirë. Ekipi ka patur probleme me derbin. Gjithsesi, ka lënë gjurmë në 2-3 ditët e para të javës, megjithatë unë kam folur dhe jam përpjekur shumë që të zbus situatën sa duhet për të menaxhuar grupin dhe për të kaluar në ndeshjet e radhës, ashtu siç duhet të luajë Tirana dhe për të arritur fitoret, që janë shumë të mirëpritura te ky klub. Mundet të kemi ndryshime dhe në formacion në vazhdimësi. Gjërat duhet të ndryshojnë se s’bën. Unë duhet t’i shoh gjërat më ndryshe në këndvështrimin tim, sepse kur diçka nuk ecën, duhet ndryshim.”

PËSIMI I GOLAVE – “Kjo është pjesa që unë, të them të drejtën, e kam vetë menduar, diskutuar dhe analizuar që të pësosh gola në atë formë, edhe t’i do të ndiheshe keq, po të ishe në pozicionin tim. Ekipi ka qenë mirë në përqindjen e lojës. Ka patur ndeshje ku kemi luajtur shumë më mirë se kundërshtarët. Unë e kam përgatitur ndeshjen çdo javë, por gabime të tilla kushtojnë dhe do shpresoj që të mos kemi më kështu gabimesh.”

NDRYSHIMET NË MBROJTJE – “Të them të drejtën Hoxhallarit i kam thënë që nuk të vë faj në golin e dytë të pësuar kundër Partizanit, pasi dhe kemi qenë futbollistë dhe kemi dalë huq. Sa i përket golit të parë, ajo ishte një vendosje shumë e gabuar e dy qendërmbrojtësve tonë. Dy sulmuesit kundërshtarë kaluan pas shpine dhe arritën te goli. Kjo ka qenë pjesa e analizës time, ndërsa huq kanë dalë dhe lojtarë yje, jo më unë, Hoxhallari, apo ndonjë lojtar tjetër.”

PAPËRGJEGJSHMËRIA E LOJTARËVE – “I papërgjegjshëm do të thotë që loja është 90 minuta. Përqendrimi duhet të jetë më shumë se 90 minuta dhe ky ekip nuk duhet ta humbë përqendrimin. Kjo është pjesa që kemi pësuar gola. Lojërat tona kanë qenë të mira, por kemi pësuar gol dhe kjo është pjesa që kemi analizuar gjatë gjithë kohës. Ne kemi humbur kohë duke analizuar këtë. Kjo gjë duhet të mbyllet në të ardhmen. Le të na shënojë ekipi kundërshtar, mund të lozë më mirë se ne, mund t’i japim dorën, por jo të humbësh ndeshjen me këto lloj gabimesh.”

FRIKA E FITORES – “Ju keni të drejtë të më pyesni për çdo gjë dhe unë jam i detyruar të flas. Por, nuk është frikë të fitosh, sepse çunat kanë bërë një lloj pune. Nuk është se nuk kanë bërë. Gjatë gjithë kohës në pjesën dërrmuese të ndeshjeve kemi dalë në avantazh. Kjo është pastaj pjesa që nuk mund të them dot këtu, pasi kemi folur gjatë gjithë kohës me lojtarët. I bie sikur të rikthehem prapë nga e para, por ne duhet të shohim se s’bën përpara. Kjo është pjesa që neve na duhet.”

MUNGESA E KONKURRENCËS – “Po të marrim në analizë lojtarët, do pak kohë që të analizosh kush është i gatshëm të luajë, apo kush mund të luajë realisht. Megjithatë, trajneri ka një besim te lojtarët, kur i fut në lojë, kjo nuk diskutohet. Por, diferencën le ta bëjë stërvitja dhe të më japin shenjat e duhura, që të jenë pjesë e lojës.”

RIKTHIMI I MUÇËS – “E kemi diskutuar bashkë dhe Genti është në një moment riardhje, po themi. Gentit i duhet medoemos pak kohë për të arritur te momenti për të luajtur. Ka kaluar një traumë, shpresoj dhe kam biseduar me të që është një faktor pozitiv në ekip.”

MUNGESA E FITORES ME KASTRIOTIN? – “Është një pyetje që më është bërë çdo javë. Në këtë moment mund të jetë pyetja më e drejtë, por kjo pyetje më është bërë dhe në javën e dytë, ose të tretë që kam qenë këtu. Tani nuk mund ta bëj një koment për këtë.”

MERKATO – “Një nga bisedat që kam patur me presidentin ka qenë dhe merkato e janarit. Financat janë dhe kjo është e padiskutueshme. Të njëjtën pyetje ia bëj dhe vetes. A do gjendet dot lojtarët që ne pretendojmë dhe a do jenë aq cilësorë sa duhet, sepse janari është shumë i shkurtër. Kjo është pjesa që më vret më tepër.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *