Ardian Mema është konfirmuar si trajneri i Tiranës për sezonin e ardhshëm. Në një intervistë për “Supersport”, numri një i pankinës së bardhebluve ka diskutuar mbi planet e e klubit për vitin që vjen.
MERKATO – “Tirana ka nevojë të forcohet në të gjitha repartet sidomos në mbrojtje ku kemi pasur problematikë, kemi pësuar shumë gola. Nuk ka qenë vetëm faji i qendërmbrojtësve, por i gjithë mbrojtjes. Nëse funksionojnë filtrat aq më pak punë duhet të ketë për mbrojtësit”.
TALENTET – “Një nga gjërat që dua të bëj është të promovoj të rinjtë. Kjo është një ndër politikat e klubit. Duhet të ketë një gërshetim midis përvojës e të rinjve, edhe unë duhet të kem më shumë besim tek ata, por s’duhet të kalojmë në aventurë”.
OBJEKTIVAT – “Ky klub ka pritshmëri të mëdha. Objektivi që i vë unë vetes është të shkojmë për titull. Nuk do t’ia lejoja vetës që të shkojmë në kampionat për vend të pestë ose të gjashtë”.
“Gjëja që unë vlerësoj më shumë te lojtarët në përzgjedhje është karakteri sportiv. Te ky klub karakteri sportiv ka qenë gjëja e parë, nuk diskutohet që lojtarët duhet të kenë përgatitje fizike dhe teknikë të lartë”.
100 VJETORI I KLUBIT – “100-vjetori i klubit të vë pak në presion. Gjithsesi unë e mendoj në këtë formë, edhe sikur të mos ishte përvjetori unë do synojë gjithmonë titullin kampion. Gjithmonë kam pasur mentalitet fituesi si futbollist, dhe s’kam ndryshuar si trajner”.
DERBI –“Kemi pesë vite që nuk fitojmë me Partizanin. Unë kam qenë pjesë në tri ndeshje, një herë kemi dalë në barazim dhe në dy raste të tjera ka fituar Partizani. Më shumë ia kemi dëmtuar veten se sa na mundi Partizani. Derbet sezonin e ardhshme do jenë shumë të luftuara, s’do ketë vend për barazim. Ndoshta sezoni që viti pas ishte viti i Partizanit, ndoshta viti i ardhshëm do jetë viti i Tiranës”.
TIFOZËT – “Mendoj se raportet me tifozët do të rregullohen nëse renditemi në tre vendet e para. Pritshmëritë e tifozëve dhe objektivat e klubit janë të njëjta”.