Tirana rrezikon të bjerë nga Superiorja, pasi diferenca me Kastriotin e vendit të parafundit është vetëm dy pikë. Ndeshja e radhës në kryeqytet është vendimtare, ndërkohë që pas humbjes në derbi nuk kanë munguar kritikat për lojtarët dhe trajnerin Ardian Mema.
Gjergji Stefa, gazetar i Supersport dhe ish-kryeredaktor i Sport Ekspres, në emisionin “Zona Gol” në Supersport ka bërë një analizë të asaj çka ndodh dhe është treguar mjaft i ashpër. Në shënjestër është trajneri Mema dhe lojtarët, të cilët sipas tij e meritojnë rënien në Kategorinë e Parë me atë çka po bëjnë.
“Unë kam një raport të shkëlqyer me presidentin, me drejtuesit dhe me të gjithë. Do të më vinte shumë keq për ta, nga ana njerëzore, nëse Tirana do të binte nga kategoria. Kjo për kontributin e tyre financiar, emocional, fizik. Ata, me të tyren, qoftë edhe duke gabuar, punojnë nga mëngjesi në darkë për këtë punë”, tha fillimisht Stefa.
Më tej ai shtoi: “Ky staf teknik dhe ky grup lojtarësh meritojnë të bien nga kategoria. Sepse në një garë ku të gjithë përpiqen me mish e me shpirt, bëjnë llogari, në një garë ku të gjithë luftojë për çdo centimetër, në një garë ku Julian Ahmataj shkoi në Gjirokastër dhe gjeti një skuadër të shkatërruar, u përpoq edhe pse me muaj të tërë vonesa rrogash, pa asnjë lloj ndihme nga ana e presidentit, pa asnjë tifoz në stadium, me vetëm disa njerëz aty afër, me Norën, arriti ta shpëtonte skuadrën.
“Me Devollin që shkon dhe e gjen Kastriotin me 10 pikë, një skuadër praktikisht të vdekur, që pavarësisht ndihmës së madhe që klubi i ka dhënë, ka bërë maksimumin, ka barazuar në Laç, ka barazuar në Vlorë, ka arritur të fitojë ndeshjet e veta, ka humbur ndeshjet direkte, trajneri i Tiranës dhe lojtarët sillen kështu me fanellën, pa pikë përgjegjësie.
“Nga Ard Mema, te lojtari i fundit, pa asnjë përgjegjësi. Nga ai portieri që nuk e di ku është herë pas here. Minuta e 92-të e ndeshjes, kur Tirana rrezikon rënien, atij i vjen topi në vend dhe ai e nxjerr jashtë. Ishte minuta e 93-të dhe Tirana kishte goditje këndi, ndërkohë që portieri me një lojtar rrinin te zona e tyre. Çdo portier në botë do shkonte të bënte gol.
“Një pjesë shumë e madhe e tyre, nuk po them të gjithë, për mendimin tim personal meritojnë të bien nga kategoria. Kanë dy derbi që barazojnë dhe Partizanit i mjaftonte. Në momentin që Kukësi ishte duke u mundur, Tirana ishte 1-1. Kush i detyron lojtarët e Tiranës të bëjnë aventura, kush e detyron trajnerin e Tiranës të bëjë aventura?
“Për të qenë edhe më agresivë, hajde ta themi që edhe presidenti të ikë e të gjithë të ikin. Megjithatë, në fund të fundit nuk luan presidenti, luajnë stafi me lojtarët. Është skuadër shumë e mirë në emra, skuadër deri diku e mirëpaguar. Dikush aty brenda në ekip, qoftë lojtarët kryesorë, qoftë trajneri, të marrin përgjegjësi për këtë situatë dhe të mos ndodhë ajo që ndodhi dy vite më parë. Është një skuadër që nuk bën asnjë llogari, bën një kampionat të vetin. E dini ju që Kastrioti mund t’i mundë?! Pastaj po i mundi Kastrioti Tirana ra nga kategoria. Ky është mendimi im”, përfundon Stefa.