Me ekipin korçar janë bashkuar dje edhe dy lojtarë të rinj, të cilët do të jenë në provë. I pari është një portier dhe bëhet fjalë për Ilia Melka, i cili është aktivizuar me disa ekipe në Greqi, së fundi me Panserraikosin.
27-vjeçari është djali i ish-volejbollistit të njohur korçar, Jani Melka, po ashtu edhe trajner i kombëtares së volejbollit. Dje portieri i ri është vënë nën urdhrat e përgatitësit të portierëve Ilir Bozhiqi, i cili ka grupin që stërvit Orges Shehin, Aldo Teqjan dhe Erjon Llapanjin. Me Melkan bëhen katër portierë në fakt dhe mbetet për t’u parë se çfarë vendimi do të marrë stafi teknik për të.
Kurse lojtari i dytë i ardhur dje në Korçë është një mesfushor nga Kosova, për të cilin nuk ka shumë informacion. Mbiemri i tij është Krasniqi dhe, nga sa mësohet, korçarëve u është sugjeruar nga ish-lojtari i Kombëtares së Shqipërisë, Altin Lala. Do të duhen disa ditë, që të shihet, nëse dy lojtarët në provë do të qëndrojnë apo jo, por gjasat janë që prova e tyre të zgjatë, sepse për momentin të gjithë janë të përqendruar te ndeshja me Dinamon e Zagrebit, që luhet ditën e enjte.