Flloj Mejuedhër është i hapur për një rikthim në ring. Bëhet sërish fjalë për një ndeshje “show” si ajo ndaj Konor MekGregor në gushtin e vitit të kaluar. Kësaj radhe kundërshtari është rusi Khabib Nurmagomedov.
Gjithçka nisi si një shaka në një video në “Instagram” nga rusi. Mejuedhër i ka bërë thirrje kompanive televizive të bëjnë ofertat e tyre për këtë duel dhe e vetmja gjë që pengon zyrtarizimin është “po”-ja nga Nurmagomedov.
Në një intervistë për “TMZ”, Mejuedhër u shpreh i bindur se nga ky duel ai dhe Khabib mund të arkëtojnë një shumë rekord, që do të kalojë fitimet e duelit të tij ndaj MekGregor: “Nëse do të ndeshem me Khabibin është e sigurt që do të marr të paktën 100 milionë dollarë. Mendoj se ky duel mund të kapë deri 200 milionë dollarë”, tha Mejuedhër i cili fitoi përafërsisht 90 milionë dollarë në duelin ndaj irlandezit Konor MekGregor.
Ndërkohë, shumë ikona të sportit të boksit kanë ngritur zërin kundër këtij dueli, duke e konsideruar atë si një teatër, që cenon vlerat e një sporti me traditë dhe me ndjekës në çdo kontinent.