“Më thonë se ngjaj me Shaqirin”, Asani i Skënderbeut flet si “ujk dëbore”

Quhet Elmir Asani dhe është afrimi i parë i Skënderbeut. Ka lindur dhe është rritur në Serbi dhe normalisht ka vështirësitë e tij me shqipen. Gjithsesi kjo nuk e ka ndalur të riun t’i thotë “po” kërkesës për intervistë.

Pyetjet drejt tij ishin të shumta, por është herët që lojtarin e ri të korçarëve ta lodhim. E nisi mbarë, teksa shënoi një gol në miqësoren me Bylisin, ndërkohë që trajneri Orges Shehi mund t’i bëjë llogaritë me 23-vjeçarin në pjesën e dytë të sezonit.

Asani diçka e tha për Sportekspres.com, edhe pse ka hasur vështirësi në komunikim. Tregoi se pse zgjodhi pikërisht Skënderbeun për të vijuar të ardhmen. Kish dëgjuar edhe më parë për korçarët, të cilët edhe i ka parë në arenën ndërkombëtare.

“Kam ardhur te Skënderbeu sepse është një klub i madh, me një traditë të madhe dhe me shumë trofe. Këto arsye më bindën ta pranoj ofertën. E kam ndjekur edhe më parë Skënderbeun, sidomos gjatë garimit në UEFA Europa League. Skënderbeu është një klub i madh dhe me siguri do të thotë shumë të luash në këtë ekip dhe për të ecur lart në karrierë”, tregon Asani.

Jo gjithçka ka shkuar si duhet për anësorin e djathtë, pasi i është dashur të shkojë në ligën e katërt në Austri. I formuar te Vojvodina, Asani nuk luante dot jashtë Serbisë pa i mbushur 23 vjeç. Rregullorja e FIFA-s detyron klubet të paguajnë taksën e formimit. Kjo është arsyeja pse nuk iu bashkua korçarëve që në verë.

“Në ligën austriake shkova për shkak të problemeve me letrat, kështu që nuk mund të vija te Skënderbeu në verë. Isha nën moshën 23 vjeç dhe duhej paguar taksa e formimit, sikurse edhe e parashikon rregullorja e FIFA-s”, shton lojtari i Skënderbeut.

Si çdo i ri ka idhullin e vet. Është një futbollist shqiptar nga Gjilani, por që luan për Zvicrën dhe mbron ngjyrat e Liverpulit për klube. Kuptohet që po flasim për Xherdan Shaqirin. Asani tregon edhe pse sulmuesi anësor është i preferuari i tij.

“Idhulli im në futboll është aktualisht Xherdan Shaqiri i Liverpulit, sepse ne luajmë në të njëjtin pozicion dhe të gjithë më thonë se kemi të njëjtin stil loje”, tregon Asani, të cilin në Korçë mezi presin ta shohin në fushë. Ato çfarë janë thënë dhe shkruar për të kanë bërë që kurioziteti i tifozëve për afrimin e parë të Skënderbeut të jetë i madh. Gara nis së shpejti dhe të gjithë do mund ta shohin Asanin së shpejti.

VLADIMIR PRENGA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *