Mateo Salvini godet përsëri. Ministri i brendshëm i Italisë, njëkohësisht një tifoz i zjarrtë i Milanit, ka thumbuar përsëri në lidhje me formën e ekipit të Gatuzos. Deklarata e fundit nuk do i pëlqejë tifozëve kuqezinj, ndërsa politikani-tifoz vazhdon të dhurojë “show” me komentet e tij.
I pranishëm në qytetin e Katanzaros në një tubim për zgjedhjet e ardhshme europiane, Salvini ka bërë një krahasim të veçantë. Pasi vendosi në qafë një shall të ekipit kalabrez, që garon në Serie C dhe do të luajë ndeshjet play-off për t’u ngjitur në Serinë B, ai u ndal edhe tek ekipi i zemrës.
“Duke parë ecurinë e Milanit këtë sezon, mund të them që Katanzaro ka bërë më mirë. Kjo është pak, por është e sigurt. Më shumë kënaqësi më ka dhënë Katanzaro sivjet sesa Milani”, përfundon ministri.