Më në fund edhe një legjendë si Arrigo Saki, gjithnjë mosbesues ndaj Milanit këto vitet e fundit, tashmë beson se Milani i ri mund të bëjë gjëra të mëdha. Pikërisht ky është një sinjal tjetër që duhet të entuziazmojë tifozët, sepse tashmë po kthehen legjendat në klub dhe po merr fund periudha e krizës së thellë.
Ish-trajneri i paharrueshëm i Milanit, në rubrikën e tij të zakonshme në Gazzetta dello Sport, ka lavdëruar punën që po bëhet te klubi kuqezi.
“Jam i lumtur, jam i bindur që Milani do të zhvillojë një kampionat të madh. Më pëlqen si po lëviz klubi, me pëlqen qe janë kthyer Leonardo e Maldini, sepse nuk janë vetëm ish-kuqezinj, por edhe persona inteligjentë, kompetentë dhe me karizëm. Po ashtu, jam i bindur se Kaldara do paraqitet shumë mirë dhe Higuain do të jetë kampioni vendimtar që kemi admiruar te Napoli dhe Juventusi.
“Vetëbesimi do të rritet, ashtu si bashkëpunimi dhe siguria. Djemtë e rinj të sezonit të shkuar do të rriten, me një profesionalizëm dhe përkushtim që Gatuzo do të duhet t’i perfeksionojë.
“Në sezonin 87-88 Milani kaloi nga vendi i pestë tek titulli në një sezon. Klubi, historia dhe tifozët do e ndihmojnë skuadrën, por ajo duhet të besojë, duke e kthyer ëndrrën e Gatuzos dhe drejtuesve në një sfidë kolektive”.