“Më ka frymëzuar gjithmonë Andres Iniesta”, flet Syla i Kombëtares së Shqipërisë

0

Ai quhet Ersi Syla dhe aktualisht është një nga elementët premtues të një brezi të ri futbollistësh që po rriten në ekipet Kombëtare të moshave.

Mesfushori aktivizohet aktualisht te skuadra e FC Internacional Tirana dhe e ka nisur rrugëtimin e tij kuqezi fillimisht me ekipin Kombëtar U-15 për të vazhduar më pas te Kombëtarja U-17, që aktualisht drejtohet nga trajneri Ervin Bulku.

Ersi bie në sy me paraqitjet e tij në fushën e lojës, pasi ka parametra të mira dhe ndonëse është akoma i vogël premton shumë për të ardhmen. E ka nisur futbollin qysh herët, duke punuar vazhdimisht me qëllimin për t’u ngjitur në majë në të ardhmen.

Në intervistën për rubrikën “Talenti Shqiptar” në Fshf.org, Ersi Syla tregon për hapat e tij parë në fushat e lojës, debutimin me fanellën kuqezi dhe nuk e fsheh synimin, që të bëjë emër në futboll, teksa është i bindur se duhet punuar fort për marrë frytet.

– Si lindi dëshira dhe pasioni për futboll? Cili ishte njeriu i parë që të afroi me këtë sport dhe besoi te ti?

– Ashtu si shumë fëmijë, edhe unë kam qenë fare i vogël kur fillova të interesohesha për këtë sport. Në fakt, në fillim ishte vetëm një dëshirë, që më pas u transformua në një pasion të vërtetë për mua. Personi i parë që ma ushqeu dashurinë për futbollin ka qenë babai im, i cili më ka mbështetur në çdo hap.

– Prej kohësh je pjesë e ekipeve Kombëtareve të moshave. Si është marrëdhënia juaj me grupin dhe trajnerin në Kombëtare? Po për ecurinë me klubin çfarë mendon? A je i kënaqur?

– Marrëdhënia me grupin dhe trajnerët e ekipeve Kombëtare U-15 dhe U-17 gjithmonë ka qenë e mrekullueshme. Jam ndjerë mirë në çdo seleksionim, grumbullim apo ndeshje. Gjithashtu dhe me klubin mendoj se kam ecur mirë. Deri tani jam mjaft i kënaqur dhe shpresoj që të vazhdoj të ndjek ëndrrën time, duke punuar sa më shumë.

– Si e përjetove momentin kur more ftesën e parë nga kombëtarja dhe debutimi me ngjyrat kuqezi? (debutimi me ekipin kombëtar te moshave)

– Momenti i marrjes së ftesës ishte thuajse magjik, një ëndërr që bëhej realitet. Ashtu si çdo futbollist i moshës sime, objektivi më madhor është të përfaqësosh ngjyrat kuqezi, të Kombëtares tënde. Debutimi me Kombëtaren ka qenë një moment i paharruar për mua dhe ndeshja e parë më ekipin Kombëtar të moshave zë një vend të veçantë në zemrën time.

– Si e shikoni të ardhmen e ekipeve Kombëtare duke pasur parasysh brezin e lojtarëve që kemi aktualisht? 

– Më pëlqen rrugëtimi që ekipet Kombëtare të moshave kanë bërë deri tani, mendoj se gjithçka po ecën me ritme mjaft të mira në të gjitha grup-moshat. Mendoj gjithashtu që Kombëtarja U-17 ka lojtarë shumë cilësorë dhe janë shumë premtues për të luajtur me Kombëtaren e madhe nëse vazhdojnë të punojnë kaq mirë edhe në të ardhmen. Ka një vëmendje të madhe nga FSHF për lojtarët e talentuar dhe mbështetja që u jepet ekipeve Kombëtare të moshave është e madhe.

– Cili ka qenë momenti apo episodi më i lumtur në karrierën tënde deri tani? Me kombëtaret e moshave dhe me klubin.

– Duke qenë se e dashuroj atë që bëj, çdo moment, që nga dita e parë e stërvitjes, ka qenë shumë i lumtur për mua. Sigurisht çdo performancë e mirë e imja dhe çdo rezultat i mirë i ekipit është për mua një kënaqësi.

– Cila është sakrifica më e madhe që ke bërë për futbollin?

– Futbolli në vetvete kërkon shumë sakrifica. Por mund te them që kam patur fatin e madh të kem mbështetjen e familjes sime gjatë gjithë këtij rrugëtimi, gjë që më ka ndihmuar shumë dhe më ka ndihmuar të përqendrohem maksimalisht në çdo seancë stërvitore apo ndeshje me klubin dhe ekipet kombëtare.

– Çfarë synimi ke për të ardhmen?

– Si çdo futbollist në fillimet e veta edhe ëndrra ime për të ardhmen sigurisht që lidhet me Kombëtaren e madhe. Do doja të isha një ditë pjesë e saj si dhe të luaja në nivelet më të larta të futbollit.

– Cili është idhulli yt në kombëtaren ideale? Ose kush është modeli yt në futboll?

– Idhulli dhe modeli që më ka frymëzuar gjithmonë është ish-mesfushori spanjoll, Andresa Iniesta. Më pëlqen, sepse ka qenë një futbollist nga i cili mund të mësosh shumë dhe prandaj e kam ndjekur vazhdimisht me shumë adhurim.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.