Me fat, Minatorë!

Speciale nga: Shpend Thaçi

Të shohësh klubet kosovare të marrin pjesë në kupat e Europës është një emocion i veçantë, një moment krenarie, pasi tani klubet shqiptare në Europë u shtuan. Dy për momentin, por jemi të bindur se në pak vite rezultatet do ta ngrenë ndjeshëm Kosovën në renditjen europiane, për të çuar në Europë 4 klube, ashtu si Shqipëria. Natyrisht, sot presim me emocion e kuriozitet debutimin e Trepçes ’89 në Ishujt Faroe. Për ata që duan një informacion të kompletuar rreth kampionëve të Kosovës, ja ku vjen një shkrim mjaft i kompletuar. Kush më mirë se një tifoz i vjetër, por edhe një analist realist e pa eufori, mund ta bënte prezantimin e ’89-shit? Lexoni specialen e Shpend Thaçit, një mitrovicas puro.

Duke filluar nga mbrëmja e sotme, futbolli kosovar thyen tabunë e madhe që e përcolli ndër vite: izolimi ndërkombëtar. Më në fund, pas një kohe relativisht të gjatë të kaluar duke u munduar të mbijetonte kampionati vendor, erdhi momenti për debutimin historik të një klubi kosovar në garat parakualifikuese evropiane. Kësaj radhe, bartësja e nisjes së një kapitulli të ri për futbollin e Kosovës është Trepça ’89. “Minatorët” luajnë në Ishujt Faroe ndaj skuadrës së Vikingur në rrethin e parë paraeliminator të Champions League.

NJIHUNI ME SKUADREN E TREPÇËS ’89

Trepça ’89 filloi parapërgatitjet verore për sezonin 2016-2017 pa ndonjë entuziazëm kushedi sa të madh. Drejtuesit e klubit kishin ndërtuar një projeksion sesi do të dukej e ardhmja e ekipit. Projekti i ri parashikonte që vëmendja maksimale t’i kushtohej vlerësimit dhe zhvillimit të lojtarëve të rinj. Kjo bëri që kontigjenti i ekipit të ripërditësohej masivisht. U larguan pjesa dërmuese e “senatorëve” dhe u afruan disa lojtarë që deri në atë kohë cilësoheshin si “periferikë”. Për hir të së vërtetës, në kampin mitrovicas askush nuk mendonte rreth stolisjes me titull. Objektivi primar ishte mbledhja e pikëve të nevojshme për mbijetesë. Mirëpo, gërshëtimi i skuadrës në mes të lojtarëve me përvojë dhe atyre në moshë të re, krijoi një momentum të ri. Disa fitore rresht në fillim të kampionatit, golat e vazhdueshëm të një sulmuesi “goleador” të shpikur si Oto John, kompaktësia dhe harmonizimi i mirë brenda grupit, bën që situata të ndryshonte në periudhën vjeshtë-dimër, ku mitrovicasit konsoliduan çdo herë e më shumë vendin e parë. Më pastaj, me fillimin e pjesës së dytë të kampionatit, ndryshoi qasja e kryesisë e cila filloi ta vërente që suksesi madhor ishte më pranë se kurrë. Madje, është paksa paradoksale të mendohet që në sezonin ku Trepça ’89 kishte hyrë me ambiciet më minimale të mundshme, të prekte një cak kaq të rëndësishëm. Skuadra veriore njihet për vazhdimësinë që ka treguar në kampionatin kosovar, duke u renditur thuajse gjithmonë në treshën e parë, por  asnjëherë s’arrinte ta fitonte titullin.
Kësisoj, pasi 17 javët e para kishin rezultuar të suksesshme nën drejtimin fillimisht të Bekim Shotanit dhe më pastaj të Veton Çitakut, trajner i ri i ekipit u emërua Zekirija Ramadani, njohje e vjetër e futbollit shqiptar si ish-trajner i Flamurtarit. Dy trajnerët e parë u larguan me konsensus me klubin, për shkak të arsyeve personale. Zekirija u dha “marshin” e fundit domethënës mitrovicasve dhe rrugëtoi pa asnjë pengesë drejt sigurimit të titullit të parë historik për klubin. Ky trofe nxorri në sipërfaqe shumë talentë si: Bledar Hajdini, Sambou, Potoku, Maloku, Jashari, Hasani dhe ai që befasoi të gjithë, sulmuesi i huazuar nga Skënderbeu, njëherazi arkitekti i madh i këtij sezoni sublim: Oto John.

LICENCIMI DHE “MERKATOJA” E KLUBIT

Pas kremtimit të titullit, u fillua të mendohej rreth licencimit të klubit. Përvoja e hidhur e vitit të kaluar, ku Feronikeli dhe Prishtina nuk u licencuan për shkak të mos përmbushjes së kritereve, shkaktoi një amulli të madhe në opinionin sportiv kosovar. Gjysma e muajit maj ishte periudha kur do të dihej verdikti i procesit të licencimit. Deri atëherë klima ishte e zbehtë. Pritja u karakterizua me ankth dhe heshtje. Sado që kryesia e Trepçës ’89 reflektonte optimizëm, prapë mbizotronte një qetësi megalomane. Erdhi dita e vendimit të madh dhe Trepça ’89, së bashku me Prishtinën, Feronikelin dhe Llapin, pranuan licencimin përfundimtar. Pas përfundimit të tërë të edicionit në “Superligën e Kosovës” – u kuptua që përveç klubit mitrovicas që do të debutojë në arenën evropiane, një gjë të tillë do ta bëjë edhe Prishtina, veçse në parakualifikueset për Europa League. Përfundimisht në zyret e “Riza Lushtës” kishte vend për frymëmarrje. Tashmë ishte zyrtare që skuadra do luante në rrethin e parë paraeliminator të Champions League. Hapi i mëtejshëm ishte përforcimi i ekipit. Fillimisht u rinovuan kontratat e gjithë futbollistëve – në përjashtim të mesfushorit Diar Mustafa, i cili ndau rrugët me klubin. Më pas, pasuan afrimet e lojtarëve të rinj nga klubet tjera: Odi Henry Chibuze dhe Assare nga Liria, Kamberaj dhe vëllezërit Muja nga rivali lokal Trepça, Gentian Mazrekaj nga Besa, Blerand Kurtishaj u rikthye nga huazimi një-vjeçar tek Feronikeli dhe përforcimi më i madh – Kushtrim Lushtaku nga Kukësi.

PËRGATITJET PËR DEBUTIM

Mitrovicasit zgjodhën Slloveninë si lokacion ku do ta zhvillonin valën intensive të përgatitjeve para ndeshjes së rrethit të parë. Njëherazi, ata aranzhuan katër miqësore domethënëse për nivelin e klubeve kosovare ndaj skuadrave si: Ruzemberok, Osijek, Astra dhe Olimpija Ljubjana. Këto miqësore, si rëndom, i nevojiteshin shtabin teknik për t’i testuar lojtarët, skemat e reja dhe taktikat e ndryshme. Epilogu i tyre ishte i kënaqshëm: – ndaj Ruzemberok u barazua 1-1; ndaj Osijek pësuan humbje 1-0; ndaj Astra shënuan fitore 4-2 dhe ndaj Olimpija Ljubjana barazuan 1-1.

“FATI” NË SHORT

Pasdita e 19 qershorit grumbulloi të gjithë ekipin e Trepçës ’89 në hollin e hotelit slloven për ta ndjekur drejtpërdrejt mbarëvajtjen e shortit që do t’ia tregonte emrin e kundërshtarit për rrethin e parë. Dëshira e të gjithëve ishte të shmangej një skuadër e vetme, ajo uellsiane, The New Saints. Por, shorti shkoi përtej pritshmërive duke e vendosur Trepçën ’89 në përballje me klubin nga Ishujt Faroe, Vikingur. Për të mos munguar kjo, “minatorëve” u buzëqeshi fati edhe në shortin vijues që përcaktoi kundërshtarin e rrethit të dytë në qoftë se kalohet turi i parë: Hafnarfjördur i Islandës. Sërish skuadra e drejtuar nga Zekirija Ramadani arriti t’i shmangte skuadrat me koeficient më të lartë. Sërish iu gëzuan “fatit” në letër.

Orari i ndeshjeve:

27-06-2017, Vikingur – Trepça ’89, ora 20:00;

04-07-2017, Trepça ’89 – Vikingur, ora 18:00.

GJENDJA MOMENTALE E SKUADRËS

Trepça ’89 ka arritur në ditën e djeshme në Ishujt Faroe dhe në mbrëmje ka mbajtur seancën e fundit stërvitore. Megjithatë, gjendja e ekipit nuk është më e mira e mundshme. “Kampionët” nuk do mund të llogarisin në shërbimet e qendërmbrojtësit që ishte zbulim i pjesës pranverore, Kaba Sambou. Kjo mungesë peshon mjaft shumë për shtabin teknik, ngaqë afrikani do të qëndrojë jashtë fushës së gjelbër nga 2 deri në 3 javë. Ky nuk është lëndimi i vetëm, pasi një fat të ngjajshëm e përjetoi edhe Bledar Hajdini, portieri titullar. Mirëpo, për dallim nga Sambou që s’ka udhëtuar fare, ky pritet t’i shtrëngojë disi dhëmbët dhe të startojë nga fillimi që në ndeshjen e sontme. Mandej, për ta vërtetuar faktin që populli në Kosovë, dhe në këtë rast edhe sporti, po nëpërkëmben nga situata politike në vend duke mos qenë të lirë të udhëtojnë pa viza, tregon fakti që lojtarët e Trepçës ’89 kanë arritur të pajisen me viza udhëtimi vetëm pak çaste para nisjes nga aeroporti i Prishtinës në drejtim të Konpenhagës.Këto “turbulenca psiqike” ishin të panevojshme 72 orë para ndeshjes, por ja që sporti e paguan rëndë fakturën e brishtësisë politike si gjithmonë në Kosovë.Pra, nga 25 sa është numëri i kontigjentit faktik të lojtarëve, vetëm 19 kanë arritur të udhëtojnë. Kësisoj, lojtarët e rinj si Mazrekaj, Kamberaj, Arbnor dhe Ardian Muja nuk u ftuan për çështje burokratike. Kurse Assare nuk udhëtoi, shkaku i mbarimit të vizës para ca ditësh dhe Kaba Sambou që qëndroi në Kosovë për riaftësim nga lëndimi.

FORMACIONI I MUNDSHËM

Mungesa e Sambou i ka sjellur jo pak probleme trajnerit shqiptar nga Maqedonia, Zekirija Ramadani. Mirëpo, në bazë të informatave të fundit, në përjashtim të ndonjë ndryshimi drastik, 11-shja startuese pritet të jetë kjo:(4-2-3-1): Hajdini; Islami, Lladrovci, Izmaku, Potoku; Broja, Maloku; Hajdari, Lushtaku, Hasani; Oto John.

Kushtrim Lushtaku pritet të debutojë në një ndeshje zyrtare me Trepçën ’89 në rolin e sulmuesi të dytë. Kapiteni i ekipit, Shpëtim Idrizi, projektohet për t’u inkuadruar në fushë në pjesën e dytë. Kurse dy mëdyshjet më të mëdha që ka trajneri Ramadani janë balotazhi për portë në mes të Hajdinit dhe Mangjollit, si dhe balotazhi për zëvendësuesin e Sambou në mes të Izmakut dhe Henry.

CILA ËSHTË LOJA E TREPÇËS ’89?

Futbolli që aplikon skuadra mitrovica karakterizohet me pasime të shkurtëra, kundërzbritje të shpejta dhe me posedim efikas të topit. Maloku është “lokomotiva” e skuadrës – i cili rikuperon topa pa fund. Njëherazi, Trepça ’89 shfrytëzon inkursionet e dy anësorëve të krahut të mbrojtjes, Potoku dhe Islami, të cilët arrinë të dalin shpesh në sulm duke furnizuar sulmuesin Oto John me harkime. Pasimet e shpejta janë një tjetër veçori e ekipit nga veriu. Brenda skemave të ekipit qëndrojnë edhe pasimet filtruese që Hajdari dhe Hasani ia dalin ta nxjerrin sulmuesin Oto John përballë portierit. Korpulenca në mesfushë nuk mungon, me tandemin Maloku dhe Broja. Ndoshta çalimin kryesor Trepça ’89 e ka në administrimin e topit në mesfushë. Mungon një “playmaker” që di ta qetësojë topin dhe ta administrojë në mënyrë të volitshme.

SA I PËRKET TRANSMETIMIT TELEVIZIV…

Edhe pse me entuziazëm masiv po përjetohet vigjilja e ndeshjes nga të gjithë futbolldashësit kosovarë, ata nuk do të mund ta shikojnë ndeshjen në ekranet shqiptare. Kjo për shkak se Vikingur ka refuzuar kërkesën e Trepçës ’89 që t’i jepet sinjali televiziv i ndeshjes për medien kosovare. Ata kanë treguar këmbëngulje për të mos qenë të hapur për negocim rreth kësaj çështjeje. Komunikimi në mes dy klubeve është treguar i mangët, ngaqë vullneti i tyre ka qenë ky. Sado që përpjekjet e Trepçës ’89 po vazhdojnë për të gjetur një zgjidhje, gjasat për mundësimin e transmetimit deri më tani janë thuajse minimale.

DREJT ORËVE TË FUNDIT

Futbolli në Kosovë po numëron orët e fundit para daljes nga errësira në të cilën ishte fundosur me dekada të tëra. Vite të tëra të kaluara duke medituar në heshtje për dalje nga izolimi gërditës. Donatorët me mjete vetanake ndanë dhe kafshatën e gojës për ta mbajtur të gjallë mbarëvajtjen e kampionatit vendor. U ruajt me ëndje një produkt i cili çdo vit e më shumë dukej i stërshpenzuar dhe i pashpresë. Shtatëmbëdhjetë vite u investua me qëllim për të arritur në këtë pikë ku vlerat e ekipeve kosovare do mund të dilnin edhe jashtë kufirit, respektivisht në parakualifikimet për dy garat madhore evropiane: Champions League dhe Europa League. Prandaj, kjo ditë simbolizon një fillim të ri. Një histori e re për futbollin e Kosovës. Një pikënisje ndryshe. Një etapë domethënëse. Përgjegjësia tek Trepça ’89 është e lartë dhe të gjithë sytë janë në drejtim të tyre. Ky është jo vetëm përfaqësim lokal i Mitrovicës dhe vetë klubit, por edhe i gjithë Kosovës. Plot barriera politike të kapërcyera për një kauzë legjitime: pranimi nga istancat ndërkombëtare për të luajtur futboll.

Gjithsesi, atmosfera brenda skuadrës është tejet e mirë. Ka shumë optimizëm dhe paksa eufori. Ani pse opinioni kosovar e do me ngulm një sukses nga Trepça ’89, këta të fundit duhen treguar të kujdesshëm dhe pragmatikë në veprimet që bëjnë.
Duhet kuptuar që çdo barazim do të ishte një fitore e vogël. Çdo gol i shënuar në transfertën e sontme do nënkuptonte krijimin e një epërsie gjigante për kalim të rrethit të parë. Kështu që, pavarësisht pritshmërive të mëdha, duhet kuptuar që ne (Trepça ’89 – referencë e këtillë sepse është ekip shqiptar) jemi ekipi për t’u mundur në këtë nivel garash. Ne jemi pa ekpseriencë. Ne jemi ata që s’janë të mësuar në ndeshje të këtilla. Kjo asesi nuk e diskrediton vlerën e ekipit që kemi, vetëm se na ndihmon të jemi me këmbë përtokë (gjë që e kemi të vështirë në gjenezë ta instalojmë, ngase kapemi nga euforia). Nevojitet qetësi, ekuilibër, pragmatizëm dhe paraqitje “pa frikë”. Debutimi i një skuadreje nga Mitrovica e ka peshën e saj të madhe. Kjo për shkak se qyteti vazhdon ta përjetojë ndarjen etnike në mes jugut dhe veriut që nga fundi i luftës famëkeqe. Kjo mandej ka prodhuar mirëqenie ekonomike katastrofike për qytetarët shqiptarë mitrovicas. Duke parë gjendjen e brishtë në veri, një sukses i Trepçës ’89 do t’ia kthente disi buzëqeshjen qytetit të vuajtur me telashe pafund që nuk sheh dot dritë në fund të tunelit. Për fund, për shkak se klubi u themelua në kohën e grevës së të minatorëve në Mitrovicë, dhe sot e asaj dite njihen si “minatorët”, urimi për Trepçën ’89 s’mund të jetë ndryshe veçse ai i zhargonit lokal mitrovicas që është: “Me fat, Minatorë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *