Shpesh herë ndeshjet zgjidhen nga mbrojtësit, të cilët shfaqen ta saktë para portave kundërshtare dhe të shënojnë. Në 13 javë kampionat, janë 15 gola (121 janë realizuar në total deri më tani) të shënuar nga lojtarë që shihen të luajnë në prapavijë. Dy janë shënuesit më të mirë: Ditmar Bicaj dhe Eglentin Gjoni.
Lezhjani i Teutës i ka realizuar dygolësh Tiranës dhe një herë i ka shënuar Skënderbeut. Dy ish-ekipeve të tij. Gjoni gjithashtu i ka realizuar korçarëve, ndërsa më parë ka gjetur rrugën e rrjetës kundër Luftëtarit dhe Flamurtarit.
Ylli Shameti është një tjetër mbrojtës që nuk harron të shënojë. Madje golat i ka të rëndë, pasi i ka dhënë Kukësit gjashtë pikë në ndeshjet e fituara me Kamzën dhe Kastriotin. Janë edhe shtatë mbrojtës që kanë shënuar nga një gol.
Albi Alla dhe Franc Veliu te Flamurtari janë mes tyre dhe e veçanta është se të dy kanë shënuar në portën e Kukësit, ish-ekipit të tyre. Po ndaj verilindorëve ka gjetur rrugën e rrjetës edhe Emiljano Musta. Ky i fundit në verë mori një ofertë nga Kukësi, por pasi e lexoi mirë e mirë kontratën vendosi të rinovonte me vlonjtatët.
Abdurrahman Fangaj, mbrojtës i Laçit, nuk është nga ata që i ka marrëdhëniet e mira me golin. Gjithsesi e ka provuar sivjet të shënojë. Shkodrani i shmangu humbjen kurbinasve në ndeshjen me Kastriotin. Marvin Turtulli i Tiranës ka realizuar në portën e Luftëtarit fazën e parë.
Në Kamza-Teuta ishin dy mbrojtës që shënuan. Klaudio Bonani, italiani i pozicionuar në qendër të mbrojtjes, realizoi golin e parë të takimit. Të fundit e shënoi Fabjo Beqja. I kthyer në një mbrojtës krahu, durrsaku shënoi golin që vulosi fitoren 1-3 të skuadrës së tij.