Juventus është ndër klubet e vetme, që këtë fillim sezoni çdo ndeshje që ka luajtur e ka fituar. Janë 9 ndeshjet zyrtare të bardhezinjve, 7 në kampionat dhe 2 në Champions. Triumfe në të gjithë sfidat për të besuarit e Alegrit që po duken të pandalshëm për momentin.
Pikë e fortë për Juven, ka qenë gjithnjë mbrojtja. Këtë vit rikthimi i Bonuçit në Torino, ka detyruar trajnerin Alegri të ulë në stolë përsëri Mehdi Benatian. Mbrojtësi maroken ka luajtur në vetëm 3 sfida si titullar. Gjithsesi 31-vjeçari duket se ndihet i lumtur te Juventus dhe ka folur për mediat italiane pas ndeshjes ndaj Jang Bojs, ku dhe luajti për 90 minuta. Sipas qendërmbrojtësit “zonja e vjetër” në Itali nuk ka rivalë.
“Bëmë një ndeshje të mirë ndaj Jang Bojs. Mendoj se bëra një paraqitje të kënaqshme dhe jam i lumtur që nuk pësuam gol. Skuadra që jemi këtë sezon është e frikshme. Vetëm vetja jonë mund të na ndalë. Jam i bindur që do t’i përmbushim objektivat e vëna në fillim të sezonit. Kemi më shumë kualitet se sa një sezon më parë, por gjithsesi nuk duhet të nënvlerësojmë asnjë kundërshtar”, ka deklaruar mbrojtësi maroken.