Ndërmjet Roxher Federerit dhe titullit të tetë në Uimbëlldon është në mes vetëm Marin Çiliç. Kampioni zviceran ka arritur finalen e tij të 11-të në “Championships”, duke mundur brenda tre seteve, në 2 orë e 18 minuta, çekun Tomas Berdih. Një ndeshje pa shumë histori për “mbretin e tenisit”.
Federeri ka qenë fenomenal në fushën e lojës, edhe pse kundërshtari çek vetëm një herë goditi jashtë fushe, çka tregon lojën perfekte. Gjithsesi, rezultati çon zviceranin përpara. Në finalen e ditës së diel Federer do të ketë përballë tenistin kroat Marin Çiliç, pasi numri 6 i Botës përmbysi disavantazhin e setit hapës ndaj tenistit nga Shtetet e Bashkuara, Sem Kuerrei, për të fituar gjithë takimin me shifrat 6-7, 6-4, 7-6 dhe 7-5, në një ndeshje që zgjati plot tre orë.
Çiliç siguroi finalen e parë në karrierë në Uimbëlldon, ku do të masë forcat me Federerin, të cilin tre vjet më parë e ka mundur në gjysmëfinalen e turneut Nju Jorkut. Edhe vjet dyshja luajti në Uimbëlldon, me Çiliç që pati tre “matchpoint”-e, por Federer ia doli të kalonte kroatin pas tre orësh e gjysmë lojë. “Nuk e besoj. Ndihem i privilegjuar që luaj sërish në finalen e këtij turneu. Pas gjysmëfinales së vjetshme që humba mu desh të pushoja për të qenë baba me kohë të plotë. Të dielën do të jetë spektakël. Ju garantoj”, deklaroi zvicerani pas ndeshjes së djeshme. Dhe të gjithë presin magjinë e radhës së mbretit…