Mbledhjet janë një aspekt i rëndësishëm i punës së presidentit Safet Gjici. Numri një i klubit është rikthyer nga pushimet dhe ka zhvilluar një mbledhje me stafin teknik. Kjo ka qenë edhe mbledhja e parë e presidentit Safet Gjicit dhe trajnerit Milinkoviç dhe stafit të tij. Të pranishëm kanë qenë edhe anëtarët e tjerë të stafit me zëvendëstrajnerin Ivan Gvozdenoviç, Vasil Papa. Përgatitësit atletik dhe trajnerin e portierëve Ermal Nexhipi. Mbledhja mes palëve ka zgjatur më shumë se zakonisht, pasi edhe bisedimet mes palëve kanë qenë të “zjarrta”. Trajneri Mladen Milinkoviç i ka prezantuar punën e deritanishme presidentit Gjici dhe ka diskutuar edhe për të ardhmen e klubit.
MBLEDHJA – Presidenti Safet Gjici është kthyer nga pushimet e tij dhe ka zhvilluar edhe takimin e parë me stafin e tij. Numri një i klubit ka mbledhur në zyrën e tij, paraditen e djeshme, stafin e Kukësit. Sipas burimeve brenda klubit, mbledhja ka qenë më e zgjatur se zakonisht, pasi palët kanë qëndruar rreth 2 orë në mbledhje. Sigurisht që në krye të diskutimeve ka qenë ekipi dhe puna e stafit teknik deri në këto momente. Numri një i klubit është i kënaqur me punën e stafit deri në këto momente.
DISKUTIMET – Trajneri Mladen Milinkoviç ka folur gjerë e gjatë me presidentin Safet Gjici për të ardhmen e ekipit dhe për punën dy javore. Numri një i pankinës së kampionëve të Shqipërisë ka folur edhe për gjendjen e lojtarëve dhe i ka dhënë presidentit të dhëna të detajuara për gjendjen e gjithsecilit. Gjici i ka kërkuar Milinkoviçit që të marrë maksimumin prej futbollistëve dhe i ka rikujtuar objektivat e skuadrës verilindore, fitimin e të gjithë trofeve. Vend në diskutime ka zënë edhe faza përgatitore. Kukësi do të stërvitet në Ohër të Maqedonisë. Ekipi do të niset me 15 gusht dhe do të kthehet me 30 gusht.