Nga Italia vjen lajmi se Shqipëria e ka gjetur trajnerin e ri. Nuk bëhet fjalë për ndonjë emër surprizë, pasi raportohet se Edi Reja është ai që do të pasojë Kristian Panuçin. Ajo çka raporton “Kiss Kiss Napoli” është se kanë mbetur vetëm detajet për të nënshkruar kontratën e re.
Të shtunën, kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka pasur një takim me Rejën në Bolonja dhe kanë gjetur gjuhën e përbashkët. Gjatë kësaj periudhe ka pasur disa emra trajnrësh të lakuar, madje edhe emra si Alberto Zakeroni dhe Roberto Donadoni.
DEKLARATAT – “Dje shkova të flas me federatën, mora 24 orë kohë për të vendosur. Varet çfarë do bëjë Andorra sot”. deklaronte Reja për “Cittaceleste.it” para disa kohësh, ndërkohë që Duka kishte pasur me të edhe një takim në stadiumin “Loro Boricci” pas ndeshjes me Turqinë.
“Edi Rejan e kam takuar në stadium pas ndeshjes, kishte ardhur për punët e tij, për të vëzhguar disa futbollistë. Nuk di ta them tanët apo të Turqisë. Nuk kam menduar asgjë se kush do të jetë trajner i Shqipërisë. Pas ndeshjes me Andorrën do të mendojmë për teknikun që i duhet skuadrës së bashku me stadin teknik të federatës. Nuk është një gjë e lehtë”, u shpreh për Supersport kreu i FSHF-së, Armand Duka.