Pero Pejiç është drejt rikthimit në Superiore. Sulmuesi i mirënjohur, edhe pse gjatë pjesës së parë të këtij sezoni ka qenë pushim, ka marrë një ofertë nga klubi i Kastriotit. Edhe në verë krutanët e kërkuan 36-vjeçarin, i cili për herë të fundit në vendin tonë ishte pjesë e Kukësit dhe fitoi titullin kampion. Ai arriti të shënonte plot 28 gola në sezonin 2016-2017, duke fituar edhe “Këpucën e Artë”.
Në Krujë besojnë se ai mund të zgjidhë hallet e sulmit për Kastriotin dhe javën e ardhshme e presin Pejiç, sikurse edhe raportohet së fundi nga “Kruja Sport”. “Pero Pejiç pranë Kastriotit, lojtari javën që vjen do të udhëtojë drejt Shqipërisë për t’u takuar me drejtuesit krutanë ku do të vendosen pikat mbi “i” mbi detajet e kontratës”.
Pejiç sezonin e fundit u aktivizua te Slaven Belupo në Kroaci, ndërkohë që në Shqipëri ka dhënë kontribut të vyer te Dinamo, Skënderbeu, Tirana, Flamurtari dhe Kukësi. Tashmë sulmuesi mund të nisë një eksperiencë të re me Kastriotin e vendit të fundit.