Naim Qarri ka një mesazh për Xhelal Mziun, kryebashkiakun e Kamzës, njëkohësisht edhe aksioner në klubin periferik të kryeqytetit. Duke qenë se bashkia nuk jep kontributin e vet për Kamzën, presidenti ka publikuar një letër të hapur ku kërkohet zbatimi i ligjit, ose tërheqjen e bashkisë nga klubi.
“Letër e hapur. Të nderuar qytetarë të Kamzës dhe të gjithë Shqipërisë! Gjithashtu, i nderuar opinion i gjerë sportiv! Po ju drejtohem me këtë letër të hapur për të shpjeguar pozicionin tim te skuadra e Kamzës, që aktualisht, për hir të së vërtetës, ndodhet në një moment të vështirë. Në vijim do t’ju shpjegoj në mënyrë të detajuar problemet e skuadrës sonë, që nuk duhet të qëndrojnë më të maskuara. Klubi ynë është një shoqëri aksionare, ku aksionet janë të ndara kështu: 51% i disponon firma “Qarri02 shpk” dhe 49% i disponon Bashkia e Kamzës.
Për të qenë transparent me të gjithë ju, ka gati 11 vite që e financoj skuadrën me paratë e familjes sime. Ndërkohë, këtë sezon futbollistik, 2018-2019, Bashkisë e Kamzës nuk ka plotësuar detyrimet financiare, që ligji përcakton qartë, në bazë të 49% të aksioneve që ky insitucion zotëron. Kam lexuar pak kohë më parë kryetarin e kësaj bashkie në media, që akuzonte personin tim se nuk kisha asnjë lloj projekti me skuadrën.
Në bazë të dokumentacioneve të vulosura dhe firmosura nga unë, sipas bilanceve të financierëve tanë, në muajin dhjetor 2018, është dorëzuar pranë bashkisë, pas kërkesës së këtij insitucioni, transparenca financiare. Pas kësaj situate kam marrë një premtim nga vetë kryetari i Bashkisë së Kamzës se bashkëpunimi do të rinisë dhe pushteti lokal do të ishte garant nga muaji janar 2019 e në vazhdim. Por, në këtë moment që po flasim, investimet e bashkisë janë zero, madje ajo ka bërë prapakthehu, duke mos garantuar asgjë.
Gjej rastin t’i bëj thirrje këtij institucioni, që të mbështesë ekipin, jo Naim Qarrin. Këtë kërkesë e bëj jo nga dëshira personale, por në bazë të dokumentacioneve dhe detyrimeve financiare, që aksionari tjetër 49% ka ndaj skuadrës, por dhe qytetarëve kamzalinj, të cilët paguajnë taksa dhe detyrime ndaj bashkisë. Ata nuk e meritojnë hezitimin për përkrahje të skuadrës së qytetit.
Në të kundërt, pas konsultimeve që do të kem edhe me juristët e klubit, do të kërkoj nga bashkia të heqë dorë nga 49% i aksioneve që disponon dhe 100% të aksioneve të kalojnë te firma “Qarri02 shpk”. Ndërkohë, futbollistëve të mi, pavarësisht se jam lënë në rrugë nga Bashkia e Kamzës, iu premtoj se çdo detyrim do të likuidohet, me apo pa pushtetin lokal në krah”, shkruhet në letrën e hapur drejtuar Bashkisë Kamzë dhe kryebashkiakut Mziu.