Kukësi u eliminua nga skuadra e Torpedos me rezultatin e përgjithshëm 5-4. Skuadra verilindore nuk arriti që të shënonte dhe një gol në Shqipëri, pasi u ndal në rezultatin 2-0, një rrjetë tjetër do të thoshte kualifikim direkt për në fazën e “play-off”-it.
Mbyllja e fushatës europiane ka kthyer vëmendjen te kampionati, aty ku verilindorët futen për ta fituar atë. Trajneri Armando Cungu e ka të qartë qëllimin e presidentit Safet Gjici, pasi ky i fundit do me çdo kusht rikthimin e trofeut në verilindje të vendit. Nuk ka rast më të mirë, pasi Skënderbeu është dobësuar.
Merkatoja është e hapur deri më 31 gusht dhe Kukësi synon të përforcohet sërish, por në të njëjtën kohë do të ketë dhe largime, pasi disa nga futbollistët nuk kanë bindur e disa të tjera janë në fundin e kontratave të tyre.
Mbrojtja do të ketë ndryshime, pasi Alla, Shameti dhe Rrumbullaku janë në fund të kontratave të tyre. Flamurtari po tregohet vigjilent dhe synon që të rrëmbejë ndonjërin prej tyre. Nga krahu tjetër, vetë lojtarët mund të kërkojnë ekipe të tjera që mund t’i ofrojnë më shumë.
Nuk pritet të ketë ndryshime vetëm në mbrojtje, pasi nuk është sekret fakti që verilindorët duan dhe një portier, pasi Stivi Frashëri nuk i ka bindur në Europë. Mesfusha pritet të ketë të tjera pastrime. Braziliani Roger dhe Peposhi vështirë se do të kenë minuta. Shpehar dhe Plaku nuk kanë bindur në Europë, prandaj nuk përjashtohet mundësia që sulmuesi kroat të largohet, ndërsa 33-vjeçari të kthehet te Kamza.