Mbape jashtë Monakos, PSG-ja e Reali në pritje

0

Trajneri i Monakos, Leonardo Zhardim ka lënë jashtë skuadre sulmuesin Kilian Mbape për takimin e sotëm në mbrëmje kundër Metzit i vlefshëm për javën e tretë të kampionatit francez. Lajmi është konfirmuar nga vetë klubi i principatës, që ka publikuar dhe listën e lojtarëve të grumbulluar për takimin e sotëm. Kilian Mbape mbetet në qendër të vëmendjes, teksa ylli i kampionëve të Francës është i lidhur me një transferim të mundshëm tek Reali i Madridit në Spanjë ose tek PSG-ja në Francë. Javën e kaluar në takimin kundër Dizhonit, Mbape qëndroi gjatë gjithë kohës në stol, teksa trajneri Zhardim pas ndeshjes deklaronte se ky ishte një vendim i marrë nga klubi. E njëjta gjë duket se po ndodh dhe tani në prag të ndeshjes së javës së tretë në Francë kundër Metzit.

Komenti i Zhardim – Trajneri i Monakos Leonardo Zhardim ka komentuar dhe vendimin më të fundit të klubit për të lënë në shtëpi yllin e vet. “Me të gjithë këto histori që po e rrethojnë këtë fëmijë vetëm 18 vjeç është detyra jonë parësore si staf teknik dhe si klub që ta mbrojmë atë nga e gjithë kjo stuhi”- ka thënë tekniku i Monakos.

Reali e PSG-ja në pritje – Në të gjithë këtë histori, ata që pritet të përfitojnë janë Reali ose PSG-ja. Në orët  fundit reali i Madidit ka zgjedhur të heshtë, teksa PSG-ja është shfaqur e gatshme të shpenzojë edhe 180 milionë euro të tjera në merkato për t’i shtuar dhe një yll tjetër ekipit. Tani pritet për t’u mësuar se çfarë do të ndodhë me Mbape, por gjasat janë që saga e verës të finalizohet në javën e fundit të merkato.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.