Skuadra kosovare kanë hedhur sytë drejt Superligës shqiptare për të kthyer futbollistët e tyre në ekipet e Vala Superligës. Të fundit në radhë ishin Kushtrim Lushtaku dhe Astrit Fazliu për të mos folur edhe për Nderim Nexhipin që iu bashkua Dritës sezonin e kaluar. Emri tjetër që përflitet është ai i Mentor Mazrekajt, më parë nga Partizani ishte kërkuar edhe Labinot Ibrahimi. “Menqa” nuk po gjen formën e tij më të mirë dhe dëmtimet e gjata kanë bërë që të vuaj jo pak. Partizani i ka dhënë dorë, pasi trajneri Starova e ka afruar me ekipin dhe e ka përfshirë edhe në formacion, por përformanca e tij ka qenë shumë larg pritshmërive.
Pavarësisht kësaj, ekipi i Prishtinës ka shfaqur interes për Mazrekajn, madje sipas asaj që raportojnë mediet kosovare, ka pasur edhe kontakte mes palëve. Interesi duket real, por ka një problem të madh, pasi “Menqa” ka firmosur një kontratë 2-vjeçare me “demat” në fillim të qershorit. Marrëveshja mes Prishtinës dhe Mazrekajt mund të arrihet vetëm nëse “demat” e lënë të lirë mesfushorin.