Të humbasësh përballë Napolit në shtëpi nuk është fundi i botës, por trajneri i Torinos, Valter Maxarri, ka shpërthyer pas ndeshjes, duke akuzuar rëndë lojtarët e tij. Të gjithë duhet t’i japin shpjegime individualisht trajnerit për këtë paraqitje të shëmtuar dhe askush nuk do t’i shpëtojë inatit të Maxarrit.
“Dua të falënderoj tifozët, por sot ishim një tjetër ekip nga ai që luajti me Udinezen. Është e vështirë të flas taktikisht për ndeshjen e sotme, sepse jam shumë i acaruar me paraqitjen e ekipit. Fillimi i ndeshjes duhet të na shërbejë si leksion për ndeshjet e ardhshme.
Sot nuk ishim në fushë, flisja me Frustalupin dhe po i thoja ‘sa lojtarë duhet të ndërrojmë? Shtatë, apo tetë? Nuk po e njihja skuadrën. Patëm një reagim të vogël në fillimin e pjesës së dytë, por më pas u shkrimë si bora në diell. Lojtarët do të duhet të më japin shpjegime një nga një.
Nuk dua të merrem me mungesat. Kishim bërë mirë deri në këtë ndeshje, por kemi gabuar pafund. Napoli ishte i uritur, ndërsa ne nuk luftonim”, përfundon trajneri i Torinos, Valter Maxarri.