Mavraj: Nuk dua të prodhoj tituj gazetash, ju tregoj dilemën time

Mbrojtësi kuqezi, Mërgim Mavraj u largua më në fund nga skuadra e Aris dhe nënshkroi për skuadrën gjermane të Ingolshtad, një kontratë që do e mbajë kapitenin e kombëtares në Gjermani deri në vitin 2020.

Mavraj po konsiderohet si një nga transferimet më të goditura në muajin janar, duke parë problemet në mbrojtje që ka Ingolshtadi këtë sezon. Në intervistën e tij të parë për faqen e klubit, 32-vjeçari u shpreh: “Nuk e di çfarë kënge do të këndoj para shokëve të ri të skuadrës, pasi asnjëherë nuk kam qenë i talentuar në muzikë. Por kam diçka në mendje”,- tha fillimisht Mavraj duke qeshur.

Më pas shtoi: “Ingolshtad nuk është në një moment të mirë, por unë jam këtu për të ndihmuar në maksimum skuadrën. Duhet të largohemi sa më shpejt nga vendi i fundit në renditje. Objektivat e skuadrës? Nuk dua të prodhoj tituj gazetash, thjesht dua të them se do të japim maksimumin në çdo ndeshje. Unë nuk shikoj pas, do të jap gjithçka në fushën e lojës që skuadra të ecë përpara.

Erdha këtu se më pëlqen sfida dhe projekti i Ingolshtad është një sfidë që e pranova me shumë dëshirë. Unë shpresa e madhe e skuadrës? Nuk e besoj, të gjithë duhet të japim maksimumin. Kemi një portier me shumë eksperiencë, Filip Shauner, që për mua është një nga portierët më cilësorë në Gjermani”.

“Kapiten i kombëtares shqiptare? Është një nder dhe përgjegjësi e madhe për mua. Siç e thashë më parë, unë nuk kthehem asnjëherë pas në kohë që të shikoj gjërat negative që mund të kenë ndodhur. Shoh vetëm përpara dhe jap maksimumin në çdo minutë që luaj, për cilëndo skuadër që luaj”,- përfundoi kapiteni i kombëtares kuqezi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *