Andi Matraxhiu, drejtori sportiv i Kamzës, njëri prej të dënuarve nga Disiplina pas ngjarjeve të ndodhura me arbitrin Eldorian Hamiti, ka vendosur të flasë dhe sqaron se nuk ishte menduar vetëgjyqësi nga Kamza, edhe pse prej javësh penalizoheshin nga arbitrat. Ai ishte i ftuar në emisionin “Fair Play” në “Ora News”.
“I kërkoj ndjesë Hamitit dhe familjes së tij. Duhet ta mbroja atë në ato momente, por u tërhoqa. Nuk është në kulturën time dhe të familjes ajo që ndodhi. Dhuna është e dënueshme. Klubi i Kamzës nuk e ka pasur si opsion vetëgjyqësinë. Më parë s’ka pasur dhunë. Duhet analizuar edhe shkaku. Ajo që ndodhi ishte një shpërthim spontan emocionesh për shkak të gjykimeve në një kah. Nuk ishte vetëm ndaj gjykimit të arbitrave. Ka pasur një diskriminim, ka pak hapësira për ne. Janë të gjitha bashkë. I gjithë komuniteti sportiv është fajtor. Është diskutuar për arbitrimet edhe në studion tuaj. Shikoj që kur ka padrejtësi ndaj një skuadre me emër bëhet analiza të thella. Edhe ne punojmë. Ndihem i indinjuar kur na anashkalojnë”.
“Me Kastriotin na u mohuan dy penallti dhe në një emision u tha: ‘kaloje, kaloje’. Hamiti është fundi i një historie të gjatë. Nuk ishte e skenuar, ishte spontane. Ziri në Kukësi-Kamza, Teqja u godit dhe iu tha të merrte mjekim. Me 10 lojtarë pësuam gol. Në Gjirokastër Frashëri ishte në pozicion të rregullt dhe nuk folëm. Andi Koçi ndaj Partizanit doli jashtë orbite. I keni parë të gjithë faullet. Me Kukësin në nëntor Myrtja nuk na dha 11-metërsh. Në vitin 2019 pati breshëri sulmesh ndaj nesh. Me Tiranën penallti dhe karton i kuq. Shtojmë edhe problemet financiare. Me Teutën penallti e dyshimtë. Me Kastriotin një penallti për Rezin dhe një rast i dyshimte me Plakun. Me Kukësin në Elbasan, goli i parë pozicion jashtë loje. Me Laçin penalltia ishte, mirëpo ka diçka. Arbitri ishte i paragjykuar, pasi lakohet si dashamirës i Laçit. Vetë nuk e pranoj, e kam dëgjuar”.
“Nuk pajtohem me dhunën. Na kanë kërkuar që të dërgojmë letër që mos të na gjykojë një arbitër i caktuar. Kështu i bie që mos të na gjykojë asnjë. Disa arbitra që na kanë shkelur haptazi, i kemi parë të gjykojnë pas dy javësh”.
“Dënimi? Kam ofenduar Koçin dhe më dënuan 10 javë. Nuk çuditem që dënohem, pamjet flasin vetë. Është diçka që e kam vuajtur unë dhe familja ime. Nuk kam goditur asnjë. Arrestimi nuk duhet të ndodhte. Nuk është në kulturën time dhe të familjes të godas dikë”.
“Kur agravoi situata zbritëm dhe dera poshtë nuk hapej. Hymë me vonesë. Kur hymë nuk e kam parë që ishte goditur arbitri. Dera u hap në fushë. U munduam të ndërhynim. Jam mbajtur nga trajneri dhe i kam thënë që nuk kam vullnet të godas. Zgjodha të kthehem me kurriz. E kuptova që puna jonë u shkatërrua tyre. Unë e dua futbollin dhe ëndrra ime u shkatërrua. Jam ndjerë shumë keq kur kam parë pamjet në Tv. I kam kërkuar falje arbitrit. Jam dënuar 36 muaj pa prekur njeri”.
“Nga futbolli nuk më largon njeri. Nuk dëshiroj të merrem si etalon dhune. Janë dënuar 25 futbollistë të pafajshëm. Ata nuk cenuan askënd. Kemi vetëm një karton të kuq, e ka marrë Beqiri. Na është thënë se ka ofenduar, por s’ka pasur relacion dhe dënim nga Disiplina. Kërkoj nga Apeli që të shikojë masën, nisur edhe nga masat e mëparshme. Kemi kërkuar vendimin e arsyetuar. Janë të tjerë që vendosin, por nuk dua të debatoj. Është dënuar një qytet. Kam parë fëmijë duke qarë dhe janë imazhe që nuk i harroj kurrë. Por as imazhet e arbitrit s’i harroj, nuk mbaj vetëm në anën e klubit”.
“Më ka shtyrë një nga shefat. Mendoja se mund të kishte përplasje mes lojtarëve. Pata një konflikt me atë dhe më kërkuan të jap shpjegime. Ika për sqarime në komisariat. Ishin përgatitur gjërat, dolën dy vendimet njëherazi”.
“Ndeshja mbaroi dhe ishte ‘fair-play’. Nuk janë shkelur gjithë rregullat. Ata zgjedhin opsionin që duan. Asnjë lojtar nuk është dënuar, por kanë ngelur në rrugë. Janë disa lojtarë që janë afruar në janar që nuk luajnë për shkak të rregullores së FIFA-s. Mund të luajnë vetëm në kampionet që nisin tani. Është një vendim komunist”.