Edi Martini beson te mbijetesa, tani që Kamza u ndal në shtëpi nga Laçi. Sipas legjendës së futbollit shkodran, i cili ishte i ftuar mbrëmë në emisionin “Zona Gol” në Supersport, Zoti po e sheh Vllazninë, por nga ana tjetër Martini i druhet politikës dhe lojës së pistë që mund të bëjë Partizani në fund.
“Shkodra është e bekuar nga zoti dhe pikërisht ky po na ndihmon edhe tani mesa shoh. Dua të falënderoj si tifoz edhe përkushtimin e Laçit sot, pasi ishte me rëndësi për ne. Pavarësisht të gjithave, besoj se duke parë situatën që është krijuar, Vllaznia do t’ia dalë të mbijetojë në javën e fundit”.
Kush mendoni se është fajtori për këtë situatë që është e tillë prej kohësh te Vllaznia?
Edi Martini: Fajtori dihet tashmë, për mendimin tim, sepse në Shkodër mungon kërkesa e llogarisë. Bashkia hedh paratë, por nuk arrin të kërkojë llogari për shpenzimet që bën, ndaj unë vazhdimisht kam bërë thirrje që Vllaznia të privatizohet dhe t’i jepet një presidenti, që do të dinte të menaxhonte shpenzimet. Megjithatë unë mendoj se fajtorë janë edhe lojtarët, të cilët mesa duket e shohin veten si punëtorë të bashkisë dhe jo futbollistë të Vllaznisë. Lojtarët duhet ta dinë mirë se çfarë bluze mbajnë mbi shpinë dhe duhet ta djersijnë shumë atë në fushë.
Çfarë nënkupton me kërkesë llogarie?
Edi Martini: Unë mendoj se edhe te Vllaznia duhet të ndryshonte trajner më herët, pasi megjithë respektin për Gjokën, rezultatet prej javësh nuk ishin në favor të tij. Kamza e bëri shumë mirë, duke ndryshuar trajner dhe rifreskuar ambientin, gjë të cilën Vllaznia nuk e bëri, duke mbetur pa trajner fare në dy javët e fundit.
Ku çaloi menaxhimi i skuadrës?
Edi Martini: Vllaznia është prej kohësh pa një drejtor teknik, që të jetë specialist i fushës dhe të bëjë edhe atë kërkesën e llogarisë. Administratori është një njeri shumë pozitiv, por nuk është specialist i fushës dhe nuk arrin të diskutojë teknikisht dhe t’i kërkojë llogari si duhet skuadrës.
Nëse Vllaznia shpëton, çfarë do ndodhë me skuadrën, pasi jeni edhe në prag të 100-vjetorit?
Edi Martini: Shpresoj shumë që të shpëtojmë fillimisht. Më pas duhet të zëmë mend dhe të privatizojmë ekipin, pasi përndryshe do të mbeteshim në të njëjtën situatë. Gjithsesi shpëtimi është i vështirë, pasi Partizani ka dalë nga objektivat dhe nuk e di nëse do të angazhohet maksimalisht. Për më tepër, uroj që t’ia fus kot, por te Partizani, drejtor është vëllai i kryeministrit dhe ky i fundit është përplasur shumë herë me Voltana Ademin, kryetaren e bashkisë. Gjithsesi shpresoj të shpëtojmë njëherë, pasi më pas jam i bindur që do t’i bëhet dermani.