Marselo nuk u aktivizua me Realin e Madridit gjatë muajve nëntor dhe dhjetor. Shkaku ishte dëmtimi i brazilianit, por ai vazhdon të qëndrojë në stol dhe pas rikuperimit. Mbrojtësi i majtë ka humbur vendin e titullarit dhe ka qëndruar në stol në gjashtë ndeshjet e fundit mes kampionatit dhe Champions Ligës.
Ai ishte titullar në ndeshje e fundit të humbur në shtëpi përballë Zhironës, por kjo nuk mjafton dhe lojtari ka vendosur të largohet. Marselo ka patur një takim gjatë ditës së djeshme me Angel Sançez, krahun e djathtë të presidentit Perez.
Siç raporton “Cadena Cope”, 30-vjeçari i ka kërkuar Sançezit shitjen e tij në fund të sezonit. Kontrata me Realin i përfundon në vitin 2022, por e vështirë që ai të qëndrojë deri në fund të saj në kryeqytetin spanjoll.
Braziliani është lodhur nga trajtimi që po merr nga Santiago Solari, i cili po preferon 22-vjeçarin Reguilon në postin e mbrojtësit të majtë, dhe kërkon të nisë një aventurë të re në verë. E ardhmja e tij është Juventusi, aty ku e pret dhe miku i tij i ngushtë, Kristiano Ronaldo.