Trajneri kroat Mario Cvitanoviç bëhet me “damkë”, sepse bëhet i pari trajner që nuk e çon Dinamon në grupe pas 11 vitesh. Një dështim kolosal për kroatët, por Cvitanoviç është i ndershëm dhe e pranon se skuadra e tij nuk meritonte më shumë: “Dua të jem i sinqertë edhe sot. I them bravo Skënderbeut, që kishte grintën dhe dëshirën për të kaluar më tej. Kemi luajtur shumë pak për 45 minuta.
“Dy pjesët e para gabuam, si këtu si atje. Nuk e kuptoj se çfarë ndodhi në pjesën e parë. Bëmë shumë gabime dhe ishim të palëvizshëm edhe pa top. Duelet i fituam shumë pak. Atë që bëmë në stërvitje e kemi bërë deri në 20 metra para portës dhe jo deri në portë. Në të dytën u rritëm në lojë dhe menduam se do shkonte mirë, por nuk shkoi. Arbitri? Ndoshta, por s’dua të merrem me arbitrat, pati disa raste për kontestime. Është dështim të mos luajmë në Europë pas 11 vjetësh”.