Maribor është favorit ndaj Partizanit dhe kjo nuk do shumë mend. Në Slloveni shpesh mundohen të tregojnë respekt, por ka momente kur nuk e fshehin dot superioritetin e tyre. Drejtori sportiv, Zllatko Zahoviç, i cili beson se klubi i tij nuk do e diskutojë kalimin e turit dhe më pas të kualifikohen në grupe.
“Maribori është një klub shembullor përsa i përket klubeve të madhësisë sonë në aspektin e menaxhimit të financave, politikave të klubit dhe sukseseve në arenën evropiane. Synimi ynë është të përfaqësohemi sërish në kupat e Europës, kemi një skuadër të mbushur me lojtarë cilësorë, që do japin gjithçka në fushë”, thotë fillimisht drejtuesi i Maribor, që kërkon më pas edhe mbështetjen e tifozëve, që vjet u zhgënjyen për shkak se nuk u fitua titulli kampion.
“Vijmë në këtë takim në një formë shumë të mirë. Ekipi ka pësuar rritje graduale gjatë fazës përgatitore dhe tani jemi komplet të fokusuar te testi yni i parë ndaj Partizanit në Tiranë. Duhet që tifozët të jenë sa më të shumtë në mbështetje të ekipit. Duhet të tregohemi të duruar dhe jam i sigurt që në fund fansat tanë do të gëzojnë”.
Kualifikimi është çështja tjetër dhe te Maribori janë gati të ecin larg në Europë: “Jemi të gjithë gati të sakrifikojmë, me gjithë këtë presion pozitiv që shoqëron ndeshjet kualifikuese. Me këtë energji që ka Maribori, si klub dhe qytet, gjithçka është e mundur. Kjo energji e pashterueshme na motivon që të tregojmë të gjitha cilësitë tona. Nuk duhet të harrojmë kurrë se kush jemi dhe çfarë jemi. Pavarësisht faktit që kemi luajtur në grupe të Champions Leageu dhe Europa League, për çdo kundërshtarë duhet sakrificë, punë e fortë dhe me përgatitje maksimale. Jemi optimistë dhe kemi besim, por duhet të ta respektojmë kundërshtarin tonë”.