Sulmuesi nën orbitën e ekipit të Serisë D. Verilindorët i kthejnë përgjigje: 300 mijë euro dhe është i juaji
Lojtari më i lakuar i Kukësit në këtë merkato ka qenë Sindrit Guri. Sulmuesi ka qenë dëshira e disa klubeve jashtë Shqipërie, të parët që shfaqen hapur interes ishin moldavët e Sherif Tiraspolit. Performanca e mirë e shkodranit në ndeshjet kundër tyre bëri që ekipi kundërshtar të pyeste hapur për kartonin e tij. Kukësi nuk e pengon sulmuesin të largohet, por sigurisht duke paguar klauzolën e largimit. Kampionët e Shqipërisë kërkojnë 300 mijë euro për 23-vjeçarin.
Ekipi i fundit që ka shfaqur interes për shërbimet e shkodranit është skuadra e Mantovës në Serinë D. Italianët e kanë studiuar dhe e kanë ndjekur prej disa kohësh sulmuesin shqiptar dhe mendojnë se është i duhuri për të investuar në të, zbulon “Sport Ekspres”.
IDEJA MANTOVA – Skuadra e Mantovës ka zbritur këtë sezon në Serinë D dhe një investim “i çmendur” nuk i shkon përshtat një klubi të këtij niveli. Megjithatë, 23-vjeçari shihet si një potencial i mirë për të ardhmen. Në kuadër të kësaj ideje, italianët kanë lëvizur kartat. Ata, me anë të disa menaxherëve në Shqipëri, kanë kërkuar kontakte të drejtpërdrejta me skuadrën verilindore. Pasi i kanë arritur ato, kanë nisur edhe negociatat për të ditur edhe çmimin e Gurit.
Kukësi është ulur në bisedime dhe ka dëgjuar interesin e skuadrës italiane. Verilindorët janë treguar të qartë me italianët dhe kanë kërkuar 300 mijë euro për sulmuesin. Nëse paguhet kjo shifër, ata e lënë të lirë Gurin. Shuma e kërkuar nga skuadra kampione e Shqipërisë është e lartë dhe Mantova nuk do të marrë guximin për të hedhur edhe hapin e fundit.
ARSYEJA – Një ndër arsyet kryesore se pse Mantova këmbënguli për Gurin është fakti se shkodrani ka letrat italiane. Kjo e bën atë që të mos jetë ekstrakomunitar dhe ta ketë më të lehtë për të gjetur ekip. Guri nuk ka qenë një titullar fiks në sezonin e shkuar, por performancat e tij ka qenë në rritje, derisa arriti kulmin e formës në ndeshjet ndaj Sherif Tiraspolit. 23-vjeçari me shumë mundësi do të vazhdojë të jetë pjesë e Kukësit. Ai do të ketë konkurrencë të fortë me Bakajn dhe Alijevin.