Gjici “nuk zhgënjen”, pasi mendon për një timonier të ri menjëherë pas kupave të Europës. Ashtu si para disa javësh, Skënder Gega projektohet si pasuesi i Ernest Gjokës në krye të kampionëve.
Jurgen Zela
Stoli i Kukësit ka një peshë e rëndë dhe ai që mban përgjegjësi për të, ka një detyrë jashtëzakonisht të vështirë, të përmbushë pritshmëritë e presidentit Gjici. Kontrata e trajnerit Ernest Gjoka ka përfunduar dhe siç e parashikojnë klauzolat, tekniku duhet të ulet në bisedime me presidentin për të diskutuar nëse do të vijojë bashkëpunimi. Edhe pse mund të konsiderohet si një sezon i suksesshëm, Gjoka me shumë gjasa nuk do të jetë më trajneri i Kukësit. Saktësisht 1 vit pas nënshkrimit të kontratës mësohet se presidenti Gjici ka menduar për pasuesin e tij, i cili do të jetë Skënder Gega. Tekniku 53-vjeçar u përfol dhe para kupave të Europës si një alternativë për pozicionin e drejtorit teknik, por asokohe nuk u arrit diçka e tillë. Edhe pse nuk ka një konfirmim zyrtarë nga palët, “Sport Ekspres” mëson se marrëveshja mes Gjicit dhe Gegës është arritur, por gjithçka do të konkretizohet me fillimin e javës së ardhshme. Po në fillimin e javës së ardhshme është planifikuar dhe takimi me trajnerin Gjoka, por bosi i Kukësit duket se e ka ndarë mendjen dhe aty do të shtrëngojë duart me 47-vjeçarin. Sigurisht përderisa nuk ka një njoftim zyrtarë, nuk përjashtohet asnjë mundësi, por shanset që bashkëpunimi mes Gjokës dhe Gjicit të vazhdojë janë të pakta.
SKËNDER GEGA
Tekniku tropojan pritet që të nisë aventurën në krye të Kukësit sapo të jenë vendosur pikat mbi “i” me presidentin Gjici. Gega është një emër i njohur i futbollit shqiptar, pasi është aktivizuar në radhët e Partizanit të Tiranës dhe gjermanëve të Shportfrojnde Zigen si futbollit, nga viti 1983 deri në vitin 1995, njëkohësisht ka qenë dhe pjesë e përfaqësueses kuqezi, ku është aktivizuar në 10 takime. Si timonier, aventura e tij nisi në vitin 2011 në radhët e 19-vjeçarëve të Shqipërisë, pas një eksperience si ndihmës trajner për disa vite. Më pas mori drejtimin e Shpresave të Shqipërisë deri në vitin 2015, duke i drejtuar në 18 takime. Një ofertë nga Kuvajti, saktësisht nga skuadra e Al-Xhahras, do të bënte që aventura si trajner të zhvendosej shumë larg Shqipërisë. Pas tetë muajsh tekniku tropojan ndërpreu bashkëpunimin dhe zgjodhi që për disa kohë të mos angazhohej në pozitat drejtuese. Tashmë Gega duket se është gati që të marrë drejtimin e Kukësit dhe drejtuesit po tregojnë se besojnë tek aftësitë e tij, pasi prej kohësh kërkojnë shërbimet e 53-vjeccarit.
Presidenti Gjici është një person ambicioz, por që nuk kënaqet, thuajse kurrë. Fitimi i titullit dhe Superkupës, por dhe performaca admiruese në Kupat e Europës nuk mjaftojnë për Gjicin, që tashmë kërkon akoma më shumë nga Gega. Në dukje një detyrë e vështirë, por që fillimisht duhet të konkretizohet, pasi asgjë nuk është zyrtare. Nga takimi me Gjokën tek marrëveshja me Gegën, presidenti Gjici ende nuk e ka thënë fjalën e tij të fundit.