Daja me dhimbje koke, me 3 mungesa në Çeki

Lilaj është mungesë e sigurt për shkak të kartonit të kuq, kurse Xhejms dhe Vujoviç janë të dëmtuar dhe kanë shanse minimale për të luajtur

Leonard Trebicka

Një ditë pas kualifikimit në raundin e tretë të Europa League, trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja, është bërë me “dhimbje koke”, pasi në Çeki do të ketë jo pak, por tri mungesa. Sabjen Lilaj, Xhejms Adeni dhe Goran Vujoviç janë lojtarët, të cilët nuk do të udhëtojnë fare drejt Çekisë, ndërkohë që problemi më i madh duket për dyshen e parë, teksa të dy janë pjesë e formacionit.

LILAJ – Trajneri Daja e mësoi mungesën e tij që gjatë ndeshjes të së enjtes, kur korçari doli me karton të kuq në pjesën e dytë, në minutën e 75-të. Mesfushori është mungesë e sigurt në ndeshjen e parë në Çeki. Mbetet për t’u parë se kush do të jetë zëvendësuesi i Lilajt, i cili është kthyer në formën e tij.

XHEJMS-VUJOVIÇ – Por dje Daja ka mësuar edhe mungesën e dy lojtarëve të tjerë. Xhejms dhe Vujoviç kanë udhëtuar dje drejt kryeqytetit, ku në spitalin “Salus” kanë kryer rezonancën magnetike për të mësuar masën e dëmtimit. Mjeku Jorgo Pantazi ka thënë se përgjigja do të merret sot, por që burime pranë klubit bëjnë me dije se të dy futbollistët nuk mund t’ia dalin. E vetmja dilemë është për të mësuar se sa do të qëndrojnë larg fushave të futbollit. Nigeriani Xhejms luajti vetëm pjesën e parë të ndeshjes me Kairatin, ku dëmtua. E vetmja shpresë është që të paktën të mos mungojë në përballjen e dytë në Elbasan. I çuditshëm duket dëmtimi i sulmuesit tjetër, Goran Vujoviç, i cili e ndoqi nga tribuna ndeshjen e fundit. Mësohet se ka pasur një dëmtim më parë, që i është përsëritur. Që pas ndeshjes së dytë me Sant Julian, ku u aktivizua dhe shënoi, malazezi më nuk është parë në fushë. Dje ai sulmuesi ishte në kryeqytet, ku kreu rezonancën dhe tani duhet të presë edhe ai për të mësuar sa do të qëndrojë larg fushës, ashtu si Xhejms.
OSMANI – Tre probleme për trajnerin Dajë, që tashmë duhet të gjejë dy zëvendësues për Xhejmsin dhe Lilajn, teksa ndeshja e radhës është në prag. Lajmi i vetëm i mirë i mësuar dje ka qenë ai i Tefik Osmanit. Korçari i mbrojtjes, i cili doli nga fusha i dëmtuar, ka pasur vetëm një kontraktim dhe asgjë më shumë. Osmani nga nesër do të kthehet në fushë, nën urdhrat e Dajës. Dhe kjo duket se është gjysma e së “keqes”, pasi nëse do të mungonte edhe Tefiku, problemet do të ishin të mëdha. Skënderbeu do të udhëtojë drejt Çekisë me tri mungesa të sigurta, ku Xhejms, Lilaj dhe Vujoviç do të qëndrojnë në Shqipëri, për të pritur takimin e kthimit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online