“Manajn nuk e ka ndihmuar sjellja”, talentet shqiptare nën lupën e Bogdanit: Nuk e prisja kështu Kumbullën, ja emri i radhës në Serie A

Brezi i ri i shqiptarëve premtojnë shumë për të ardhmen dhe kjo shihet qartë dita-ditës. Manaj bëri një hap të madh për të shfrytëzuar shansin e tij në ekipin B të Barcelonës, ndërsa Kumbulla prej disa kohësh ka rënë në radarët e klubeve më të mëdha italiane dhe europiane. Por një person nga të cilët kanë kaluar disa futbollistë të rinj të Kombëtares është edhe Bogdani.
Ish-sulmuesi rekordmen i Shqipërisë ka qenë në krye të pankinës për 19-vjeçarët e kuqezinjve, ku ka pasur mundësinë të shohë nga afër talentet tona të së ardhmes. Në një intervistë për mediat italiane, Bogdani ka analizuar figurën e Kumbullës dhe Manajt, si dhe ngre lart emrin e Erald Laktit, të cilin e sheh të gatshëm të luajë në Serie A.
Kumbulla
“Sinqerisht nuk e prisja që të bëhej kaq i mirë. Merita është e tija, ai e vuri menjëherë në dispozicion dhe ka dëshmuar të jetë një lojtar i rëndësishëm edhe në Serie A. Normal që pas ndeshjeve që ai luajti ka përfunduar në sytë e të gjithëve. Ai është një djalë shumë i ri, i datëlindjes 2000, ai ende mund të rritet shumë dhe të bëjë më mirë në të ardhmen.
Cilësitë e forta? Ai është një djalë i gjatë, për mendimin tim ai është një golashënues shumë i mirë dhe një goditës mjaft i mirë me kokë. Në disa miqësore me Kombëtaren ai ka shënuar edhe disa gola. Ajo që më ka habitur më shumë është se ai po luan edhe në Serinë A si veteran: duke qenë shumë i gjatë mund të mendoni se ai nuk ka shpejtësinë që i nevojitet kundër kundërshtarëve të shpejtë, por ai ka aftësinë ta shohë mirë aksionin dhe të arrijë gjithmonë para të tjerëve. Të mos harrojmë se po flasim për një djalë nga 2000, i cili ka akoma shumë për tu përmirësuar dhe treguar.
Mund të them që këtë vit ai luajti vërtet mirë me Veronën, nëse shumë skuadra e dëshirojnë atë do të ketë një arsye, plus datën e lindjes së tij e bën atë edhe më tërheqës. Në futboll duhet të dëshmoni gjithmonë, lojë pas loje. Sipas mendimit tim, për aq sa ai ka treguar, ka të drejtë që është në orbitën e skuadrave të shkëlqyera”.
Manaj
“Po flasim për një djalë që ka shumë cilësi, ka talent të luajë dhe të bëjë shumë mirë në Kombëtare. Sjellje të caktuara nuk e kanë ndihmuar, por është akoma një djalë shumë i ri. Ai gjithashtu po përmirësohet nga ky këndvështrim. Manajt i ka munguar pak vazhdimësia. Atij me siguri nuk i mungon talenti, cilësia, forca: ai është vetëm 24 vjeç. Sigurisht që mund të bëjë shumë mirë në të ardhmen”.
Shqiptari i ardhshëm në Serie A
“Kur flasim për djem të rinj duhet të jemi gjithmonë të kujdesshëm, rreziku që atyre të mund t’u rritet mendja ekziston. Ata gjithmonë duhet të demonstrojnë vlerën e tyre për t’ja dalë. Pasi e thashë këtë, mund të them se ai që mund të arrijë përfundimisht në Serinë A është Erald Lakti. Ka luajtur në të rinjtë e Fiorentinës, këtë vit shkoi me huazim te Gubbio. Sipas mendimit tim ai mund të bëjë shumë mirë, mund të luajë të gjitha rolet e mesfushës, nga këndvështrimi im ai ka gjithçka për të shkuar në Serie A. Pastaj ka edhe djem të tjerë që premtojnë mire, por ajo që do të bëjë ndryshimin është gjithmonë koka: kalimi nga ekipi i të rinjve skuadra e parë është gjithmonë faza më e vështirë, është aty që ju mund të shihni nëse dikush mund të bëhet një lojtar i vërtetë”, ka deklaruar Erjon Bogdani./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online