Paolo Maldini kërkon durim dhe saktësi. Marko Xhampaolo ka nevojë që përforcimet të vijnë sa më shpejt dhe drejtori teknik i Milanit po bën maksimumin për t’i plotësuar çdo dëshirë.
Bashkë me Masarën dhe Boban po kryhet një punë e madhe, por pa u nxituar. Maldini sqaron idetë e tij, analizon afrimet e Kruniç dhe Teo Hernandez dhe e mbyll me Luka Modriç.
KRUNIÇ-TEO – “Me Raden kemi biseduar që sezonin e kaluar, më pas intensifikuam negociatat me Empolin dhe agjentin e tij. Mesi i fushës ishte objektivi ynë, pasi e dinim se do largoheshin katër lojtarë. Kruniç ka dy vite eksperiencë në Serie A me Empolin dhe mund të përmirësohet akoma edhe më shumë.
Sa i përket Teos, ai përmbush profilin e lojtarit që kërkojmë. Është shumë funksional dhe jemi ‘blinduar’ në krahun e majtë. Nuk ishte e vështirë për ta bindur dhe tani është gati të nisë një cikël të ri me ne. Është një ndër interpretuesit më të mirë të rolit të mbrojtësit të majtë dhe duam ta bëjmë ndër tre anësorët më të mirë në botë.”
MODRIÇ – “Po negociojmë me Benaser, është e vërtetë. Jemi pak mbrapa, por merkato mbyllet me datë 2 shtator, kështu që kemi kohë. Po monitorojmë futbollistë në gjendje për të udhëhequr, ndihmuar dhe përmirësuar lojtarët e rinj. Modriç? Luka do të ishte perfekt, por nuk kemi patur asnjë kontakt me të.
MERKATO – “Po punojmë për të vënë në dispozicion të trajnerit grupin përfundimtar të lojtarëve sa më shpejt të jetë e mundur. Nuk duhet të nxitojmë për të mbyllur operacionet. Rëndësi ka të tregohemi të kujdesshëm dhe të mos gabojmë. Të rinjtë e fortë kushtojnë shumë. Lojtarët e pjekur më pak, por duhet të plotësojnë disa karakteristika.”