Franca kampione bote pati në kopertinë emra si Mbape, Grizman e Pogba, por ndërkohë pati edhe surpriza, ku natyrisht të gjithë janë mahnitur nga i riu Benxhamin Pavard.
Vetëm 22 vjeç, mbrojtësi i Shtutgartit luajti në të djathtë të mbrojtjes franceze dhe shkëlqeu, edhe pse në Gjermani ka luajtur si qendërmbrojtës.
Një gjetje e jashtëzakonshme e trajnerit Deshamp, me Pavard që e ka shumëfishuar vlerën e tij në treg dhe janë disa klube që e duan, por sipas SWR.de, Pavard ka nënshkruar me Bajernin gjatë Kupës së Botës, duke hedhur firmën në një kontratë që e bën ‘bavarez’ prej vitit 2019.
Kjo për faktin se francezi ka një klauzolë në kontratë që e lejon të largohet verën e vitit 2019 për 35 milionë euro, shifër aspak e madhe në këto kohëra.
Megjithatë, Shtutgarti kërkon ta evitojë këtë gjë dhe ka nisur që tani bisedimet me Bajernin, sepse Pavard kushton të paktën 50 milionë dhe Shtutgarti kërkon ta shesë që tani te bavarezët, por ta mbajë edhe një vit në huazim.