Pas ulje dhe ngritjeve, periudhës problematike që solli largimin e Arsen Venger, Arsenali duket se nuk do të ndalet më. Me fitoren e së enjtes në fushën e Sportingut të Lisbonës, “topçinjtë” regjistruar fitoren e 11-të me radhë në këtë sezon, mes kampionatit, Europa League dhe Kupës së Ligës.
Jo rastësisht mediat angleze e etiketonin suksesin “Parajsa e Njëmbëdhjetë”. Ecuria pozitive nuk është e rastësishme, por rrjedhë logjike e një futbolli të shpejtë dhe brilant, të cilin deri më tani skuadra e Unai Emeri po e interpreton në mënyrë thuajse perfekte. Një start që e ka projektuar Arsenalin në zonën e lartë të renditjes në Premier Ligën angleze.
Aktualisht ata ndodhen në vendin e dytë, me pikë të barabarta me rivalët e tjerë londinezë të Totenhem dhe Çelsi, ndërsa distanca me kryesuesit e Liverpulit dhe Mançester Sitit është vetëm dy pikë. Këto dy skuadra cilësoheshin pretendente pa rivalë në garën për titull, por në harkun e pak javëve situata ka ndryshuar.
Tashmë “Reds” dhe “Sitizëns” duhet të bëjnë kujdes, me ecurinë e pandalshme të 13 herë kampionëve të bretërisë së bashkuar, që janë kthyer në garën për një prej pozicioneve të rëndësishme të kampionatit. Statistikat e arsenalit janë të frikshme: 31 gola të shënuar në 11 ndeshjet e fundit dhe vetëm 9 rrjeta të pësuara. Unai Emeri e ka ndryshuar rrënjësisht Arsenalin. Klop dhe Guardiola janë të paralajmëruar!