“Magjia” e stadiumit korçar, vetëm 1 humbje në kualifikuese europiane

0

Kairati vjen në stadiumin e “ferrit”. Humbja e parë dhe e vetme europiane e Skënderbeut në shtëpi është ajo me APOEL-in e Nikosias, më 13 korrik 2011

Leonard Trebicka

Që nga vera e vitit 2011 (me përjashtim të verës së vjetshme) Skënderbeu luan rregullisht në Europë, ku shumicën e ndeshjeve e ka në Champions League. Dy vite më parë dhe këtë vit merr pjesë në Europa League, por këtë herë direkt në këtë kompeticion. Përfaqësimi korçarëve ka qenë pozitiv në shumicën e rasteve dhe ka kulmuar me fazën me grupe të Europa League. Në 3 stadiume i kanë luajtur korçarët deri tani ndeshjet europiane në Shqipëri, ku padyshim forcën e ka pasur në stadiumin “Skënderbeu”. Ndeshje të tjera i ka luajtur në “Qemal Stafa” dhe pjesën më të madhe në “Elbasan Arena”. Kjo për faktin se stadiumi “Skënderbeu” nuk i plotëson kushtet e nevojshme për çdo tur. Në këtë stadium, në e Champions Skënderbeu mund të luajë vetëm turin e parë, ndërsa në Europa League lejohet të luajë edhe dy ture, siç është rasti konkret. Skënderbeu luajti ndeshjen e turit të parë ndaj Sant Julias dhe tani pret Kairatin. Nëse kualifikohet, nuk mund të luajë më në Korçë, por në Elbasan.

FORCA E STADIUMIT – Statistikat e ndeshjeve në stadiumin e Korçës janë të frikshme për Skënderbeun. Në 6 sezonet e pjesëmarrjes në Kupat e Europës, ka luajtur 6 ndeshje në këtë stadium dhe bilanci është mjaft pozitiv. Korçarët kanë 4 fitore në shtëpi, 1 barazim dhe 1 humbje. Për t’u veçuar është fakti se kjo humbje është shumë e largët, më 13 korrik të vitit 2011, kur Skënderbeu luante ndeshjen e parë europiane në Champions ndaj qipriotëve të APOEL-it dhe humbiste 0-2. Më pas gjithçka ka folur për korçarët, të cilët kanë 2197 ditë, që nuk munden në shtëpi. Kjo “magji” e stadiumit “Skënderbeu” shpresohet shumë të funksionojë edhe nesër ndaj Kairatit. Në fushën e tij Skënderbeu ka mposhtur skuadra si Debreceni, Neftçi Baku, Krusejdërs dhe Sant Julia. Fitoren më të thellë europiane në shtëpi e ka ndaj Krusejdërs, 4-1, dy vite më parë. Barazimi i vetëm në shtëpi është ai ndaj Bate Borisovit, në korrik të 2014-ës, 1-1. 8 gola ka shënuar në fushën e tij ekipi korçar dhe ka pësuar 4 gola. Ky është bilanci i 6 ndeshjeve në stadiumin “Skënderbeu”. Në shtëpi korçarët kanë treguar se janë shumë të fortë, duke pasur mbështetjen e tifozëve, të cilët e kanë mbushur stadiumin. Kështu pritet të ndodhë edhe nesër në mbrëmje në qytetin më të madh juglindor të Shqipërisë.
KAIRATI – Nesër në mbrëmje, forcën e stadiumit “Skënderbeu” do ta provojnë kazakët e Kairatit. Këto shifra dhe fakte të korçarëve në shtëpi ndoshta kazakët nuk i dinë, por stadiumi “Skënderbeu” është një “ferr” për skuadrat europiane që luajnë këtu. Sigurisht, 2197 ditë pa humbje nuk janë pak. Skënderbeu ka sukses, kur luan përballë tifozëve të vet. Mbështetja e madhe e “ujqërve të dëborës” do ta ndihmojë të eliminojë edhe kazakët e Kairatit.

Ndeshjet kualifikuese vajtje-ardhje europiane në Korçë

13.07.2011 Skënderbeu-APOEL 0-2
Shënues: Morais 52’, Manduka 56’
17.07.2012 Skënderbeu-Debreceni 1-0
Shënues: Plaku 66’
23.07.2013 Skënderbeu-Neftçi Baku 1-0
Shënues: Orelesi 116’
22.07.2014 Skënderbeu-Bate Borisov 1-1
Shënues: Radas 67’ / Olekhnovich 28’
14.07.2015 Skënderbeu-Krusejdërs 4-1
Shënues: Nimaga 15’, Salihi 34’, 84’, Berisha 76’ / Ovens 48’
29.06.2017 Skënderbeu-Sant Julia 1-0
Shënues: Latifi 69’
Bilanci: 6 ndeshje (4f, 1b, 1h. Gol: 8-4)
You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.