Teuta, edhe pse nuk ka dalë publikisht me një kërkesë për shtyrjen e datës së fillimit të kampionatit, natyrisht ka mbetur e kënaqur nga përcaktimi i datës 9 shtator për startin e Superiores.
Këtë verë klubi durrsak për ndërton nga e para skuadrën dhe në këtë moment skuadra është e pakompletuar, ndaj në një intervistë për Supersportin, trajneri Gugash Magani e pranon se dy muaj kohë i mjaftojnë për të ndërtuar një skuadër serioze: “Ne ishim nga ato klube që kërkonim që kampionati të niste në datën 20 ose 27, pavarësisht pauzës për angazhimet e Kombëtares. Megjithatë, shtyrja e kampionatit nuk mund të them se na penalizon. Të gjithë ekipet e nisin garën njësoj. Ajo që kërkoj në këto momente është që skuadra të formatohet sa më shpejt. Si unë, presidenti ashtu edhe bashkë-presidenti, jemi të gjithë në një linjë: që të ndërtojmë një skuadër dhe më tej të vendosim objektivat në startin e kampionatit. Qetësia që më japin drejtuesit, bën që tashmë çdo gjë të jetë përgjegjësia ime për të marrë riskun, si për mirë ashtu edhe për keq.”
Nën urdhërat e Maganit ishin edhe dy përforcimet e reja, Beqja e Hrkaç, por Magani e pranon se duhen ende shumë lojtarë: “Këtë javë do të punojmë me tre seanca dhe vetëm javën e ardhshme do të stërvitemi përditë. Do të vendosim themelet dhe gjatë kësaj kohe do të punojmë për formatimin e skuadrës, pasi kemi pasur shumë largime. Do të punojmë kujdesshëm që të mos bëjmë gabime. Lojtarët e rinj duhet të kenë karakter dhe përveç kualitetit duhet të jenë në shërbim të ekipit, të kenë uri e dëshirë për rezultate. Do të punojmë këto dy javë në Durrës dhe më pas faza do të vijojë në Itali. Natyrisht që kemi programuar edhe disa ndeshje stërvitore. Dy të parat do ti luajmë këtu me skuadrat që stërviten aktualisht, ndërsa më pas do të vijojmë në Itali.”
“Pjesën më të madhe të mbrojtjes e kemi formatuar dhe po punojmë për një mbrojtës të majtë. Në qendër të mesfushës ku kemi pasur edhe largime, dhe pa diskutim edhe sulmi, ku jo vetëm ne, por çdo skuadër synon më shumë. Mendoj që nëse një skuadër e ka sulmin mirë edhe performancën do ta ketë shumë të mirë.”