Magani pret përforcime, një serb provohet në Durrës

Duke pasur kohën e mjaftueshme për ndërtimin e skuadrës, pas shtyrjes së kampionatit për në shtator, trajneri Gugash Magani po sheh shumë lojtarë dhe ditët e fundit në stërvitje është parë edhe një serb, Semin Haxhibuliç. Futbollisti 20-vjeçar është i aftë të luajë në mesfushë dhe sulm, ndërsa vjen nga BASK i Beogradit, klub i divizionit të tretë serb. Ndonëse CV-ja nuk është e pasur, nuk duhet harruar se bëhet fjalë për një futbollist të ri, që sapo ka përfunduar ciklin me moshat e Novi Pazarit, ndaj Magani ka vendosur ta shohë fillimisht dhe më pas të vendosë për të.

Magani i kënaqur me kalendarin: Tani dua përforcime!

Shorti i djeshëm për Kategorinë Superiore 2017-2018 ka lënë të kënaqur trajnerin e Teutës, Gugash Magani, i cili sheh një fillim disi më të lehtë të sezonit se një vit më parë. Duke folur për neësport.al, trajneri peqinas shpjegon: “Këtë vit m’u duk një kalendar më favorizues për Teutën në katër ndeshjet e para. Ishte më ndryshe sesa ai i vjetshmi, ku skuadrat ishin agresive në fillim të kampionatit. Unë personalisht vlerësoj maksimalisht çdo skuadër dhe për mua janë të gjitha njëlloj të rëndësishme. Ky është një perceptim i parë pasi pashë sesi kishte rënë kalendari i Teutës”.

Për Maganin, tashmë mendja është vetëm te ndërtimi i skuadrës në kohë, pasi gjithçka ka nisur thuajse nga zero në qershor. Trajneri i Teutës sqaron se ku pret përforcime: “Ende nuk e kemi mbyllur merkaton dhe nevojat që kam për ekipin. Kërkoj një mbrojtës të majtë, një sulmues të majtë, një fantazist dhe një sulmues të dytë. Kam folur me presidentin e klubit dhe kemi rënë dakord për kërkesat e mia. Të gjithë do të vijnë nga jashtë, por do të shohim edhe në merkaton brenda vendit pasi sikurse dihet nuk lejohen më shumë sesa katër të huaj”.

E veçantë është se djali i tij Artur Magani iku nga Teuta për të luajtur në Kosovë te Liria, por në Superiore është ngjitur djali tjetër, Endri: “Jam i lumtur për karrierën e tyre, ku njëri i është bashkëngjitur ekipit të Bledi Shkëmbit dhe tjetri është me ekipin e Lushnjes, duke filluar aventurën në Superiore. Si prind, shoh më të mirën për karrierën e tyre futbollistike”, shprehet Gugash Magani.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *