Magani ngre tonet në skuadër, kërkon impenjim e seriozitet

Dita e djeshme ka qenë një kërkesë llogarie e trajnerit Magani për skuadrën e Besës. Jo vetëm pas humbjes 0-3 të miqësores me Trepça ’89, por se trajneri këtu i është referuar impenjimit të lojtarëve gjatë tri javëve përgatitje e ndeshje, nisur nga data 4 janar 2019. Për SportEkspres.com, Magani deklaron se një trajner e ka për detyrë të kërkojë llogari në skuadër, duke e menduar si formë e reagimit dhe të përmirësimit.

“Unë e shoh se sot, futbollistë të veçantë tregohen indiferentë sa i përket kulturës përgatitore dhe performancës profesionale. Këtë e kam menduar si bazë për një vazhdimësi të mirë, sepse unë kam ardhur te Besa me një objektiv të madh, ngjitjen në Kategorinë Superiore. Me këtë impenjim nuk e shoh të sigurtë objektivin, ndaj edhe skuadrës i kërkova më shumë seriozitet, pa asnjë tolerim”, kështu theksoi Magani në këtë deklaratë.

Tashmë njëshi i pankinës së Besës u kërkon futbollistëve të tij që secili të tregojë në fushë se sa e meriton fanellën dhe të mos e mbajnë mendjen te miqësoret e humbura. “Tashmë miqësoret i mbyllëm, të shohim çfarë kemi përpara. Secili nga futbollistët e ka për detyrë që të tregojë në fushë se sa e meriton fanelën e Besës, sepse Kampionati është shumë prënë rinisjes së tij”.

Besa renditet në vendin e 2-të në grupin B të Kategorisë së Parë, 5 pikë larg Bylist kryesues në këtë grup, ndërkohë që në javën e 15-të më 2 shkurt, luan në transfertën e Elbasanit.

AGRON KAJA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *