Trajneri Bano nis përgatitjet me ekipin, ku pritet që pjesa më e madhe lojtarëve tw vjetshëm të qëndrojë. Rinovimet do të bëhen të parat
Arjan Likja
Pas përfundimit të fushatës zgjedhore, ashtu siç ishte premtuar në qytetin myzeqar thyhet heshtja e komunikimit me shtypin nga zyrtarët dhe stafi teknik i verdhejeshilëve lushnjar në lidhje me hedhjen e hapave konkret në lidhje me konfigurimin e Lushnjës të sezonit futbollistik 2017-2018.
Kryepankina e rikonfirmuar e Lushnjës, Artan Bano, i cili ndodhet me pushime disa-ditore në Gjermani, është shprehur kështu në linjë telefonike për “Sport Ekspres”: “Jemi marrë vesh me drejtuesit tanë për të filluar sot stërvitjen me ekipin. Natyrisht, ashtu siç e kishim programuar, janë lajmëruar për stërvitje të gjithë ata futbollistë vendas që mbyllën sezonin e kaluar me Lushnjën. Në ditët në vazhdim do të hidhen hapa të studiuar dhe konkret në lidhje me përpilimin e kontratave me futbollistët aktual, duke mos lënë jashtë vëmendjes edhe ndërhyrjen në merkato. Pasi të kemi realizuar hapat e nevojshëm, më pas do të vendosim për zhvillimin e fazës përgatitore në një vend që ofron kushtet optimale. Kaq mund t’iu them për momentin, pasi hapat konkret që do të hedhim më tej do t’i pasqyrojmë me transparencë të plotë në medien e shkruar në ditët në vazhdim”, është shprehur në mbyllje të telefonatës së tij trajneri Bano, i cili nesër paradite fluturon nga Gjermania drejt Rinasit dhe më pas do të jetë në Lushnjë për të nisur seancën e parë stërvitore me ekipin.