Lushnja mbetet thatë, Rexhep Memini ikën në Kosovë

0

Mbrojtësi durrsak ka ikur papritur, duke sjellë pakënaqësi te trajneri Dedja. Ish-lojtari i Kukësit zgjedh Trepçën 89’. Ka nisur provën edhe Allkanjari   

Arjan Likja

Edhe ai që konsiderohej si afrimi i parë i Lushnjës në merkaton e dimrit tani nuk është më te skuadra e drejtuar nga trajneri Hysen Dedja. Rexhep Memini, mbrojtësi i ardhur nga Kukësi, kishte marrë “ok”-in e trajnerit shkodran dhe kishte rënë dakord me drejtuesit e klubit të Lushnjës për të qenë pjesë e kësaj skuadre deri në fund të kampionatit. Kishte disa ditë që stërvitej me verdhejeshliët në Durrës, por dje mungonte dhe më pas u mësua kishte vendosur ta braktiste Lushnjën për të kaluar në kampionatin kosovar, më saktë te Trepça 89, që tani drejtohet nga trajneri Gugash Magani. Oferta më e mirë financiare ka bërë që ish-mbrojtësi i Kukësit të ndërrojë mendje dhe të largohet nga Lushnja, por ky veprim duhet pranuar se ka sjellë jo pak pakënaqësi te stafi i skuadrës myzeqare, pasi nuk është një veprim korrekt i durrsakut.

PËRGJINI – Futbollisti që është më pranë Lushnjës në këtë moment, është lezhjani Leonard Përgjini, për të cilin trajneri Dedja e ka dhënë “ok”-in e tij, ashtu si dhe për rusin Hacukov, por merkatoja e verdhjeshilëve mbetet e hapur. Me ekipin është bashkuar së fundi për provë edhe lushnjari Arbër Allkanjari, i cili është aktivizuar me Naftëtarin në pjesën e parë të sezonit. Trajneri Dedja do të zbardhë listën përfundimtare të Lushnjës deri më 18 janar, siç e ka pohuar edhe vetë pak ditë më parë.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.