Ftesës së SportEkspres.com për të dhënë opinionin e tij në lidhje me rikthimin si aksioner te skuadra e Tiranës, biznesmeni Julian (Lul) Morina ju përgjigj me dashamirësi, pasi sipas tij, çdo medie sportive serioze është vlerë për kontributin që jep në hapësirën sportive shqiptare.
Në gjykimin e Lul Morinës, Tirana ka degraduar në katër vite që ai është shkëputur nga marrëdhënia që ka patur si aksioner i saj dhe rikthimin e mendon si dalje të saj nga gjendje e rënduar financiare dhe sportive. “Për të bërë gjëra të mira duhen njerëz me integritet personal e financiar. Unë i kam këto”, kështu theksoi mes të tjerave Lul Morina në këtë intervistë për SportEkspres.com
INTERVISTOI: AGRON KAJA
Cili është motivi juaj për këtë rikthim te Tirana, pas katër sezoneve i larguar?
-Problemi është se në katër sezonet që unë jam larguar nga Tirana, skuadra ka patur rënie deri në degradim, aq sa zbriti një sezon në Kategorinë e Parë. Dhe në dinjitetin tim si qytetar i Tiranës dhe si biznesmen, unë kam menduar t’i jap dorë ringritjes së kësaj skuadre të madhe.
Çfarë mendoni se ka ndryshuar nga ai vendim i Këshillit Bashkiak i vitit 2014, që ju sot keni menduar rikthimin si aksioner te Tirana?
-Unë shikoj se nuk ka ndryshuar asgjë, sepse aktualisht është një skuadër që po degradohet nga njerëz që hedhin 5 lekë dhe kërkojnë që të marrin 150 lekë për një sezon. Ky nuk është kontribut që i shërben futbollit të skuadrës 24 herë kampione dhe të vetë qytetit të Tiranës.
Në këndvështrimin e një aksionari, ju si e mendoni këtë rikthim te skuadra e Tiranës?
-Unë këtë rikthim e shoh si një investim për qytetin e Tiranës, por edhe më gjërë. Nuk e shoh afrimin tim te Tirana si një biznes dhe besoj se kjo mendësi duhet luftuar. Do jem një kontribues i vlerave të kësaj skuadre të madhe.
Është Liga Profesioniste një shtysë për ju në këtë rikthim?
-Ligën Profesioniste unë e shoh si një strukturë që do të japë efekte progresiste në futbollin elitar. Këtë Ligë e shoh si një njeri që e mbështet futbollin dhe nuk merrem me fjalë. Këta që mbeten te fjalët, duhet të largohen nga Tirana.
Situata e Tiranës sot është e ndërthurur me borxhe të bartura dhe me renditje në zonën e mbijetesës, ju nuk e vlerësoni këtë realitet?
-Natyrisht që unë e njoh këtë situatë të Tiranës dhe sapo të rikthehem zyrtarisht do t’i shoh gjërat një për një. Më duhet ta përsëris edhe një herë se unë i kam dhënë provat te Tirana, sepse për të bërë gjëra të mira duhen njerëz me integritet personal e financiar. Unë i kam këto.
Çfarë do të ndryshojë nga kjo gjendje aktuale te Tirana pas rikthimit tuaj si aksioner i saj?
-Do të ketë përmirësime të ndjeshme, si nga ana financiare ashtu edhe në atë sportive. Unë rikthehem që Tirana të dalë kampion në sezonin tjetër dhe jo që ajo të vegjetojë në vendet e fundit të renditjes. Këtë sezon do synojmë që Tirana të hyjë në zonën e Europës.
Po për sezonin në vazhdim, çfarë mendoni se duhet të ndryshojë skuadra e Tiranës me ju askioner?
-Së pari duhet që të dalë urgjentisht nga kjo situatë e rëndë financiare, njëherësh edhe nga renditja në vendet e fundit të tabelës. Janë edhe dy faza në kampionat ku do të luhen 18 ndeshje me 54 pikë brenda dhe mundësitë për ndryshimin e Tiranës janë të mëdha.